E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoriteti i Konkurrencës hap hetimin ndaj Vodafon

Ard Kola

Tarifat 

Komisioni i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania. Ky hetim i thelluar është në vazhdim të procedurave të Autoritetit të Konkurrencës pas një hetimi paraprak në këtë treg. Ky hetim i thelluar është hapur, pasi është analizuar gjendja e konkurrencës në treg. Nga kjo analizë ka rezultuar se ndërmarrja Vodafone Albania ka një pozitë dominuese në tregun përkatës. Gjithashtu, janë vënë re shenja të kufizimit të konkurrencës në treg si pasojë e sjelljes me planet tarifore që kjo ndërmarrje ofron, si dhe me distributorët e kartave telefonike. Gjatë hetimit paraprak është vënë re se klientët në Vodafone Club nxiten dhe mbahen në Club nëpërmjet tarifimit dhe ofertave shumë herë më avantazhuese brenda rrjetit (on-net) sesa jashtë rrjetit (off-net). Gjithashtu, ndërmarrja me pozitë dominuese Vodafone Albania sh.a, ka rritur përqindjen e bonusit që përfitohet nga pikat e shitjes së produkteve të operatorëve celularë. Ky bonus jepet vetëm me kushtin që ti jepet përparësi ndërmarrjes Vodafone ndaj operatorëve të tjerë celularë, si dhe heqja e logove reklamuese të operatorëve të tjerë dhe vendosja në pikat e shitjes e vetëm logove të Vodafone, thotë Autoriteti i Konkurrencës. Operatori Vodafone Albania sh.a ka ofruar një shërbim në kuadrin e ofertave promocionale për planet tarifore me parapagesë oferta e portabilitetit për klientët me parapagesë që përfshin komunitetin e Vodafone Club dhe planin tarifor Vodafone card. Në bazë të këtyre ofertave, klientët e Vodafone Club do të përfitojnë më shumë trafik dhe shërbime celulare me një çmim më të ulët me qëllim për ti mbajtur brenda rrjetit. Vodafone për uljet e përftuara nga klienti gjatë kohës që është përdorur shërbimi, i kërkon kompensim nëse klienti do të kalojë në një operator tjetër, përfundon njoftimi i AK-së.

Autoriteti i Konkurrencës hap hetimin ndaj Vodafon burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›