Debat kush e do më tepër Kosovën
Interkonjeksioni
Linja, e bllokuar prej 3 vitesh. Sherr mes deputetëve të PD-PS, Gjana: Po flisni përralla
Konflikti mes qeverisë dhe KfW shkaktoi vonesë të ndërtimit të linjës mes dy shteteve
ARD KOLA
Vonesa për realizimin e projektit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, e cila po mbush tre vjet ka shkaktuar debate në kuvend, gjatë diskutimit të raportit vjetor 2012 të ERE-s. Të parët që nisën debatin ishin deputetët e Partisë Socialiste, të cilën kërkuan nga kryetari i ERE-s, Sokol Ramadani, shpjegime rreth vonesës së projektit, ndërsa sugjeruan që të vendosej në rezolutë përshpejtimi i realizimit të linjës. Sipas opozitës në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, mungesa e linjës, jo vetëm me Kosovën, por edhe me vendet e tjera ka rritur varësinë e Shqipërisë ndaj importeve me Serbinë, duke sjellë kështu humbje për Kosovën.
“Dështimi i linjës dhe sabotimi i ndërtimit të linjës së Kosovës, mosfillimi dhe mosndërtimi i linjës me Maqedoninë, solli dhe ndërtimin e linjës së Italisë nëpërmjet Italisë dhe Malit të Zi, duke anashkaluar Shqipërinë, duke e nxjerrë pothuajse jashtë tregut europian. Jemi i vetmi vend në rajon dhe në Europë që nuk jemi të lidhur me rrjetin europian 400 kW”, tha deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gace.
Të dhënat në raportin e ERE-s tregojnë se më shumë se gjysma e energjisë së importuar në vitin 2012 ka ardhur nga shoqëria serbe EFT, në sasi prej 1.5 miliardë kilovat energji elektrike (afro 100 milionë euro).
Për deputetin demokrat, Selami Xhepa, vështirësitë për realizimin në kohë të këtyre projekteve burojnë nga vështirësitë financiare të Korporatës dhe buxhetit të shtetit. Sipas tij, zbatimi i këtyre projekteve kërkojnë kohë.
“Qeveria shqiptare u ka kërkuar institucioneve financiare, në veçanti KFW-së që është edhe institucioni financiar që ka mbështetur më fuqimisht politikat tona energjetike, që projektin e tretë në radhë pas linjës me Kosovën të kemi fuqizimin e linjës me Maqedoninë. Nga ana tjetër, në dijeninë time, dy projekte, ose dy marrëveshje janë vënë nga qeveria shqiptare. Mendoj që panorama e fuqizimit të sistemit të transmetimit është e kompletuar. Sigurisht që vështirësi ka për ndjekjen në kohën e duhur për arsye sepse vështirësitë burojnë nga mundësitë financiare që ka qoftë korporata qoftë edhe buxheti i shtetit. Sidoqoftë, unë nuk mendoj që kemi të bëjmë me neglizhimin”, tha Xhepa.
Sipas deputetëve të mazhorancës, mungesa e realizimit të projektit nuk ka lidhje me favorizimet ndaj Serbisë apo ndaj ndonjë shteti tjetër, por janë thjesht çështje teknike dhe financiare. Deputeti i PD-së, Osman Metalla, akuzoi PS-në se kur Kosova shpallej vend i pavarur dhe kur qeveria lobonte nëpër botë për ta njohur si shtetin më të ri, opozita bënte protesta, duke bllokuar reformat. Nuk mund të them me siguri, por ndoshta me veprimet tuaja, kur ne punonim që shtete të tjera të njihnin Kosovën, ju ishit kundër, iu drejtua Metalla deputetit të PS-së, Gaçe, por ky i fundit reagoi duke treguar hartën e KfW-së që pasqyronte ecurinë e projekteve.
Ndërhyrja finale erdhi nga kryetari i komisionit, Jemin Gjana. Boll! Jeni duke folur përralla. Të gjithë ne e duam Kosovën dhe nuk ka lidhje se çfarë thuhet, jo tregu serb, jo tregu kosovar. Këto diskutime u bënë në kuadër të miratimit të një projekt rezolute për vlerësimin e veprimtarisë së ERE-s, e cila u miratua me propozimet e socialistëve për inkurajimin e realizimit të projekteve publike dhe private për lidhjen e rrjetit energjetik shqiptar dhe atij rajonal.
Debat kush e do më tepër Kosovën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email