Autoriteti i Konkurrencës zbut gjobat
Autoriteti i Konkurrencës do të funksionojë me një ligj të ri të miratuar dje nga qeveria, i cili i përafrohet standardeve të BE, dhe jep më shumë hapësira për të mbrojtur firmat private të vogla në raport me subjektet që kanë pozicion dominues. Ndryshimet thelbësore në projektligj prekin pjesën e gjobave, të cilat nuk nisin më nga 2 për qind e xhiros vjetore deri në 10 për qind, por nga zero, sikurse e parashikon standardi perëndimor. Tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me marrëveshjet e firmave të vogla private, që për interesa të tyre në mbrojtje të konkurrencës dhe çmimit, mund të krijojnë lidhje bashkëpunimi, në kufijtë e parashikuar në ligj. Autoriteti i Konkurrencës do të ketë rol më të madh në ndërhyrjet e rasteve abuzuese në treg, si dhe i garanton mbështetje çdo ankimuesi, që dëshmon për rastet e shkeljes së ligjit, si për monopole, marrëveshje të fshehta, fiksim çmimesh etj.
Neni 7 në ligjin aktual, që flet për “marrëveshjet me rëndësi të vogël” do të ndryshohet. Sipas këtij ndryshimi, “mund të përjashtohen nga zbatimi i pikës 1, të nenit 4, ato marrëveshje, të cilat nuk e kufizojnë ndjeshëm konkurrencën në treg, në rast se pjesa e tregut e të gjitha ndërmarrjeve së bashku, pjesëmarrëse në këtë marrëveshje, nuk e tejkalon 10 për qind të tregut përkatës, ku pjesëmarrësit janë konkurrentë dhe 15 për qind të tregut përkatës, ku pjesëmarrësit nuk janë konkurrentë”.
Lidhur me kontrollin e përqendrimeve, ndërmarrjet do të njoftojnë Autoritetin e Konkurrencës nëse, në vitin e fundit financiar, para përqendrimit, xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku në tregun ndërkombëtar është më shumë se 7 miliardë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrjeje pjesëmarrëse, në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë dhe në rastin kur xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku në tregun e brendshëm është më shumë se 400 milionë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrjeje pjesëmarrëse, në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë.
GjobatPjesa në projektligj që trajton sektorin e gjobave i jep rëndësi disa faktorëve, duke i diferencuar. Kështu, neni 74, “Masa e gjobës për shkeljet të rënda”, bëhet “Komisioni vendos gjoba, në masën deri në 10 për qind të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës, për çdo ndërmarrje pjesëmarrëse që shkel ligjin”. Kundër vendimeve të komisionit për vendosjen e sanksioneve mund të bëhet ankim në gjykatë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit për vendimin. Gjoba e vënë nga Autoriteti i Konkurrencës është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Civile. Autoriteti i Konkurrencës nuk ka detyrim që të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor”. çështjet, procedurat hetimore dhe kontrollet e përqendrimeve, pavarësisht nga faza në të cilën ndodhen në çastin e hyrjes në fuqi të dispozitave të këtij ligji, do të vazhdojnë t’u nënshtrohen dispozitave të mëparshme deri në dhënien e vendimit përfundimtar të Komisionit të Konkurrencës.
#