QSUT, tani me pavijon dialize për të vegjlit
Gjatë 5 viteve të fundit në vendin tonë numërohen mbi 100 fëmijë që kanë nevojë për dializë, si pasojë e problemeve në veshka. Për fat të keq, gjatë gjithë këtyre viteve, këta fëmijë nuk kanë mundur të kurohen, për shkak se në qendrën spitalore universitare, “Nënë Tereza”, ky shërbim ka munguar. Një situatë e tillë, sipas mjekëve, mund të shkaktojë pasoja fatale në jetën e të vegjëlve, të cilët nuk kanë mundur të marrin mjekimin e duhur për të shpëtuar prej kësaj sëmundjeje. "Në pesë vitet e fundit ne kemi evidencë, afërsisht mbi 110 fëmijë, fati i të cilëve praktikisht unë nuk di t’ju them se si ka qenë, sepse ky shërbim ka munguar. Kuptohet që në raste të tilla rreziku për ta mund të jetë aq i madh, sa mund të shkaktojë edhe vdekjen e tyre, tha Rezart Xhepa, shefi i pavijonit të nefro-pediatrisë dhe dializës. E megjithatë, sipas tij, një pjesë e fëmijëve janë transplantuar falë interventeve të ndryshme të Ministrisë së Shëndetësisë ose mekanizmave humanitare jashtë Shqipërisë. Duke marrë shkas nga një situatë e tillë kritike, që prek drejtpërdrejt shëndetin e fëmijëve që vuajnë prej kësaj sëmundjeje, dje në QSUT është inauguruar pavijoni i hemodializës, i cili vjen për herë të parë në vendin tonë si një shërbim më vete. “Hapja e shërbimeve të reja të munguara më parë, do të thotë më shumë shëndet dhe shpëtim i jetëve të njerëzve, në mënyrë të veçantë për patologjitë delikate, siç janë ato që trajtohen me hemodializë", tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, pacientët shqiptarë në strukturat publike do të vazhdojnë të gjejnë gjithnjë e më shumë shërbime ekselente, siç do të jetë shërbimi që do të ofrohet në këtë pavijon bashkëkohor. Në pavijonin e nefro-padiatrisë dhe dializës janë vendosur 7 aparatura, si dhe 12 shtretër. Stafi mjekësor do të punojë me 2 turne, ndërsa qëndrimi i fëmijëve do të jetë ditor. Ngritja e kësaj qendre ka kushtuar plot 350 mijë euro dhe është financuar nga qeveria turke. Në ceremoninë e djeshme morën pjesë edhe drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, si dhe drejtori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
#