SHBA: Industria e automobilave në krizë, nisin pushimet nga puna
“Xheneral Motors”, kompania më e madhe e prodhimit të makinave në Shtetet e Bashkuara, pëson një tjetër goditje. Bëhet fjalë për dorëheqjen e kreut te saj, Rik Uagoner. Largimi i tij ka ardhur pas presioneve të Shtëpisë së Bardhë, që i ka lënë këtij të fundit vetëm dy zgjidhje: largimin ose përjashtimin e kompanisë nga planshpëtimi i qeverisë. Në mënyrë të menjëhershme është bërë edhe zëvendësimi i Uagoner me Fric Henderson, deri dje anëtar i bordit drejtues. Vetëm gjatë 4 viteve të fundit, bilancet e “GM”-së flasin për një humbje mbi 82 miliardë dollarë. E njëjta situatë shoqëron edhe tregjet europiane. Kompania “Pezho” ka pushuar nga puna drejtorin e Përgjithshëm të saj, Kristian Shtraif. Me një unanimitet votash, bordi drejtues shkarkoi drejtorin e vjetër me arsyetimin se kishte ardhur koha të ndërronte drejtuesin e kompanisë.
31 Mars 2009