E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare paraqet raportin vjetor në Komisionin për Ekonominë dhe Financat

Kryetarja e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, Elisabeta Gjoni, prezantoi sot përpara Komisionit kuvendor të Ekonomisë raportin për punën e këtij institucioni për vitin 2009. Në raport theksohet se mbrojtja e interesave të konsumatorëve, nxitja e qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë, sigurimi dhe respektimi i ligjit kanë qenë ndër objektivat kryesore të punës së AMF, si ent rregullator i konosliduar për të mbikqyrur tregjet financiare jo bankare në Shqipëri.
Zonja Gjoni, në fjalën e saj përpara deputetëve, theksoi se, gjatë vitit të kaluar, është punuar shumë në drejtim të dhënies së licensave për subjekte që operojnë në tregjet financiare jo bankare, si në fushën e sigurimeve, në tregun e letrave me vlerë, etj.
Hartimi i legjislacionit, parë edhe në prespektivën e integrimit europian, si dhe rritja e bashkëpunimit institucional jo vetëm brenda vendit, por edhe me institucione homologe në vende të tjera, ishin çështje të tjera në të cilat Kryetarja e AMF-së u ndal gjatë paraqitjes së raportit përpara Komisionit për Ekonominë. Anëtarët e Komisionit vlerësuan punën e bërë nga ky ent rregullator në drejtim të aktivitetit licensues, të hartimit të legjislacionit edhe me aktet nënligjore përkatëse, si dhe në drejtim të mbikqyrjes dhe inspektimit në tregun e sigurimeve. Gjatë diskutimeve u ra dakord që Kuvendi në bashkëpunim me AMF-në të përcaktojë strukturën dhe organigramën e këtij enti. Ndërkohë Komisioni për Ekonominë dhe Financat do të paraqesë për miratim në seancë plenare një projektrezolutë për vlerësimin e punës së AMF-së, për vitin 2009.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›