Autostrada Tiranë – Elbasan inaugurohet pranverën e ardhshme
Gjatë takimit me të rinj të Forumit Rinor, kryeministri Berisha analizoi edhe arritjet e këtij mandati qeveritar. Kreu i qeverisë tha se në një hark kohor 6 vjeçar janë ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë. “Ne u kemi premtuar shqiptarëve, kudo që ata banojnë, se do të bëjmë gjithçka që aty ju jetojnë të ketë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore njëlloj si në lagjet e qyteteve. Absolutisht ne do ta bëjmë këtë realitet. Ne premtuam rrugën e Kombit dhe ajo është sot korridori më i rëndësishëm rajonal”, tha ai.
Autostrada Tiranë-Elbasan, tha kryeministri Berisha, është një tjetër premtim i qeverisë, i cili inaugurohet pranverën e ardhshme, ndërsa brenda 2-3 viteve Shqipëria do ketë infrastrukturën rrugore më moderne në rajon dhe më gjerë.
“Ne premtuam autostradën Tiranë-Elbasan. Jam i lumtur se një ëndërr të elbasanasve të të gjitha kohërave, kjo gjeneratë po e shndërron në të vërtetë dhe në pranverën që vjen ne inaugurojmë segmentin më të rëndësishëm të sistemit tonë rrugor brenda vendit, Autostradën Tiranë - Elbasan dhe garantoj qytetarët e këtij qarku të mrekullueshëm, se kudo që ata ndodhen, në 2-3 vitet që vijnë do të finalizojmë tërësisht ndërtimin e rrugëve. Unë të gjithë i garantoj se rrugët do të ndërtohen, se ne konsiderojmë pasuri të jashtëzakonshme çdo vend në këtë territor. Unë ju them se të tilla janë. Ndaj dhe ne kemi ndërtuar, siç thotë edhe Komisioni Evropian, në katër vitet e fundit rrugë më shumë se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku. Ne nuk kërkojmë votën për rrugët që kemi ndërtuar, ne kërkojmë besimin për rrugët që do të ndërtojmë. Askush nuk ka të drejtë të dyshojë në mbajtjen e fjalës nga kjo forcë politike”, deklaroi Berisha.
...