Bum anëtarësimesh në FRPD, përgatitet fitorja e zgjedhjeve
Shumë prej të rinjve pjesëmarrës u anëtarësuan për herë të parë në këtë forum të Partisë Demokratike, forcës politike që siç tha vetë lideri i saj, kërkon të fitojë akoma më shumë besimin e shqiptarëve për të realizuar premtimin madhor Shqipëria vend i zhvilluar, Shqipëria evropiane.
Kësisoj, duke u ndalur te procesi i anëtarësimeve, Berisha tha se FRPD është një familje e madhe që beson te liria dhe te të drejtat e njeriut. Sipas kryeministrit, të rinj dhe të reja kanë marrë një vendim historik, duke iu bashkuar Forumit Rinor të Partisë Demokratike, pasi sipas tij ky forum, po përgatit fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. “Forum që përbën forcën kryesore të Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj deri më sot. Ky Forum ka qenë e mbetet faktori më përcaktues në çdo betejë e në çdo fitore të Partisë Demokratike. Ky Forum po përgatit me vendosmëri të madhe fitoren e shkëlqyer të zgjedhjeve të vitit 2013. Në rast se ka një forcë politikë në Evropë e në botë, e cila është tërësisht forcë politike e të rinjve, kjo është Partia Demokratike, e cila 22 vjet më parë u themelua dhe u organizua nga bashkëmoshatarët tuaj dhe arriti të ndryshojë vendin në mënyrën më të madhe. Shqipëria e 22 viteve është Shqipëria e kapërcimit të epokave, është Shqipëria e ecjes me shpejtësitë më të mëdha, është Shqipëria e quantum leap, nëse do të përdornim një term nga fizika kuantike. Partia Demokratike dhe Forumi i saj u themeluan si Parti Demokratike dhe Forum i lirive dhe të drejtave njerëzore. Ndaj edhe ju keni marrë një vendim historik, për t’u bashkuar me forcën politike që riktheu në Shqipëri, që riktheu për qytetarët shqiptarë dhe për të rinjtë, liritë e të drejtat e ndaluara me Kushtetutë”, tha ai.
...