Fieri, alibi për bllokimin e radhës
Duhet të kishe nerva çeliku, që ta dëgjoje deri në fund deputetin e PS-së, Saimir Tahiri, në programin Opinion të së enjtes. Përndryshe, do të duhej të merrje patjetër ndonjë qetësues, pa të të zinte gjumi. Provokator i nivelit më të lartë, gjestikulator i nivelit më të ulët, “llafollog” mbill e mos korr, cinik i tipit Rama, atë mbrëmje zoti Tahiri ishte në performancën e vet të konfuzionit dhe të absurditetit politik. Nëse tema e bisedës ishte për reformat e kërkuara si kusht për statusin e shumëpritur prej gjithkujt, do të kalohej detyrimisht edhe nga Fieri, në Patos; prej andej në Ndërnenas, Bubullimë etj. Afërmendsh që e gjithë kjo sorollatje e lodhshme - alibi e radhës e liderit socialist Rama për të bllokuar rrugën drejt Europës - donte edhe një shpjegim, politik dhe juridik njëherësh.
Por ç’ ndodhi në të vërtetë? Zoti Tahiri griu e griu si ia desh qejfi pa thënë asgjë, ndonëse në krahun tjetër, zoti Alibeaj u përpoq të jepte shpjegimet e veta politike dhe juridike për çështjen. Ishte e pritshme për teleshikuesit që, mirë a keq, oponencën ndaj Alibeajt ta bënin përfaqësuesit e opozitës, pra zoti Tahiri ose zoti Bushati. Mirëpo, ndërsa i dyti bënte sikur flinte a, e shumta, sikur merrej me celularin, i pari nxirrte ca letra, përsëriste si papagall se kishte në dorë 13 vendime që, në të vërtetë, nuk kishin lidhje njëri me tjetrin, dhe hidhej degë më degë, duke akuzuar shumicën qeverisëse se vendi nuk po qeveriset dhe se pas 200 ditësh atë do ta qeverisin Edi Rama, ai, dhe ca të tjerë me qafë në kular që, në vend të hostenit, drejtohen me celularë.
Me të drejtë zonja ministre, Majlinda Bregu, tha se, nëse ndonjë teleshikues do të kishte marrë vesh çfarë tha deputeti Tahiri, ajo do t’i pranonte të gjitha absurditetet e tij. Unë, ndonëse s’mora vesh asgjë nga “llafollogjia” mbill e mos korr, kuptova vetëm atë që e dija prej kohësh: PS u frynte borive të alibisë me emrin Fier, për të bllokuar veprimtarinë e Parlamentit në këtë në ngushticë ditësh, kur edhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare po u zë goja lesh duke përsëritur vende e pavend të njëjtë gjë: votoni tre ligjet, të merrni statusin. Është e njëjta situatë që e kemi përjetuar sa herë ka qenë rasti për të hedhur një hap përpara, drejt Europës. Veçse kësaj here, më e rëndë, pasi gjithçka po luhet në një periudhë kur në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet etnike shqiptare kanë filluar festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë. Njolla që po na vihet si komb, është më e zezë se kurrë.
Tryeza e kërkuar prej liderit socialist Rama, përsëritur edhe dje me terma më të kamufluara, nuk u mor në konsideratë fare gjatë debatit. Zoti Tahiri dhe ai që e kishte instruktuar paraprakisht e dinin se një debat për tryezën, do t’i nxirrte përpara publikut si atë që shkoi për lesh dhe u kthye i qethur.
Nuk dua të përsëris hollësira për atë çka dihet mirëfilli, domethënë që çështja e qarkut të Fierit është juridike dhe, aktualisht, në gjykim, kurse miratimi i tre ligjeve, çështje kompromisesh politike mes pozitës dhe opozitës. Kjo, tashmë, është e qartë për çdo shqiptar, kudo që jeton, pasi për integrimin janë të interesuar të gjithë, përveç antikombëtarëve që po ia çjerrin maskën vetes nga dita, në ditë. Fjalën e kam te mënyra me të cilin opozita po mundohet të mbrojë një çështje që s’mund të mbrohet. Të vësh në njërin krah të peshores ish-kryetarin e qarkut të fierit, zotin Ndreko, dhe kryetarin aktual, zotin Shehu, kurse në krahun tjetër çështjen e integrimit, edhe më i padituri e kupton nga do të anonte peshorja. Atëherë? Presion mbi opinionin publik që të ruajmë ç’të ruajmë nga kontingjentet e militantëve fanatikë, që po na firojnë nga dita, në ditë. Kjo ishte edhe strategjia me të cilën zoti Tahiri mori pjesë në debat. Përndryshe, nuk kishte pse ta mbyllte fjalën e tij me provokime banale se qeveria aktuale nuk është e zonja të qeverisë, se nuk do të jetë e largët dita që PS-ja të vijë në pushtet, se qeveritarët e sotëm do të përballen me ligjin e të tjera kësi mbroçkullash që s’i beson njeri me mend, përveç, ndoshta ndonjë trumykuri që jeton ende me ëndrrat e luftës së klasave, shpresa e vetme e Edi Ramës dhe e Saimir Tahirit për të ardhur në pushtet.
Të isha në vend të zotit Fevziu, mendova ndërsa zoti Tahiri, i kurdisur, po shkurdisej, do t’ia kisha prerë fjalën, si Bruno Vespa në Porta a Porta, kur i ftuari dërdëllit jashtë tematikës së debatit, ç’t’i vijë në mendje. Ishte me të vërtet një mbyllje e stilit arkaik komunist, që të ndillte krupë e neveri. Megjithatë, pasi reflektova një copë herë, thashë se zoti Fevziu po bënte mirë që e linte tjetrin të vetëdemaskohej deri në fund. Dhe ashtu, vërtet. Zonja Bregu, që e di fare mirë se ç’ përpjekje po bën qeveria për të qeverisur vendin dhe për t’i hapur rrugë integrimit në komunitetin europian, i vërtetoi me fakte kolegut opozitar se qeveria e ka në kontroll qeverisjen dhe bën përpjekje të vazhdueshme që ta përmirësojë atë. Si shembull, solli abuzimet e vetë zotit Tahiri me kontrabandën e barnave dhe me shuma marramendëse që u ka borxh partnerëve shtetërorë ose jo.
Zot Tahiri, s’bëri gëk, as mëk, veç disa grimasa neveritëse, kinse nënqeshje qesëndisëse. Zor se vendi mund të bëjë përpara me opozitarë të një stature të tillë politike.