E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada, banorët nxirren nga shtëpitë

• Edhe pse akoma nuk janë dëmshpërblyer nga ana e shtetit për shtëpitë e tyre që do të rrëzohen për hir të autostradës Durrës-Morin, banorët e fshatit Blinishtë të Komunës së Oroshit të Mirditës nxirren jashtë nga policia.

MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI

Pas përfundimit të afatit të shkurtër të vendosur për të braktisur ambientet, Policia Ndërtimore ka ndërhyrë dje me mjetet e saj. Shtëpitë kanë nisur të prishen nga ndërtimorët e ardhur nga Shkodra, për t'i hapur rrugë punimeve për investimin që do mundësojë lidhjen e dy vendeve. Por fati i banorëve është ende i pazgjidhur. Një prej tyre është nxjerrë dje nga shtëpia e tij njëkatëshe, ende pa marrë paratë në dorë. Paulin Prendi thotë se nuk ka marrë asnjë lek për shtëpinë që po i shembin. "Vetëm tri ditë më përpara ka ardhur një komision dhe ka bërë rivlerësimin e shtëpisë, ndërsa sot në mënyrë komplet të papritur ka ardhur policia dhe më ka nxjerrë nga banesa. Kurse Policia Ndërtimore ka filluar edhe prishjen e shtëpisë. Nuk kam asnjë vend ku mund të strehohem. Shteti para se të merrej me shembjen e shtëpisë sime duhet të më jepte në dorë paratë, pasi e kam ndërtuar me mund dhe djersë. Kam certifikatën e pronësisë për të dhe të gjithë dokumentacionet. Unë do t'i drejtohem gjykatës për këtë veprim arbitrar që më ka ndodhur". Ai thotë se ka shkuar në bankë, por përgjigjja e marrë ka qenë se ende nuk është derdhur fondi për ta. Pyetjes se ku do të strehohet natën e parë të daljes nga shtëpia, Paulini thotë se është i detyruar të flejë brenda një autobusi që ka në pronësi kushëriri i tij. "Nuk kam zgjidhje tjetër, veçse të qëndroj së bashku me prindërit dhe tre anëtarët e tjerë të familjes sime në qiell të hapur", thotë Prendi. Familja Prendi tashmë ka mbetur e pastrehë, ndërkohë që për nxjerrjen e banorëve nga shtëpitë e tyre janë vënë në ndihmë të Policisë Ndërtimore edhe policia e Mirditës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhur nga Shkodra.

Reps, analiza për helmimin e punëtorëve
MIRDITE - "Ekipi mjekësor nuk ka dalë ende në konkluzionin se cili ishte shkaku i helmimit të punëtorëve. Janë kryer analizat dhe së shpejti do të dalë një përfundim", u shpreh dje zëdhënësja e firmës "Bechtel-Enka" Iva Zagar, pas ngjarjes kur shfaqën shenja helmimi plot 154 punëtorë të autostradës. "Dy ditë më parë ka pasur një fluks të madh punonjësish që kanë marrë mjekim në ambulancën e firmës "Bechtel-Enka", në Reps. Situata nuk është alarmante dhe ne nuk kemi pasur nevojë që të kërkojmë asnjë ndihmë nga spitalet e Rrëshenit dhe Kukësit, pasi kemi tri qendra ambulatore në Reps, Thirrë dhe Kukës", u shpreh ajo. Vetë punëtorët thonë se shkak mund të ketë qenë mishi i konsumuar gjatë drekës së të enjtes. Ata thonë se dhe herë të tjerë kanë pasur probleme helmimi, nga vezët  apo ushqime të tjera.       r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›