E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga pronarit të punishtes së pijeve

• PATOS - Arrestohet Mithat Bregu, biznesmeni nga Patosi, i shpallur në kërkim për prodhim të paligjshëm të pijeve alkoolike.

Burime të policisë bënë të ditur dje arrestimin e biznesmenit, i cili ishte shpallur në kërkim që prej datës 8 mars 2008. Mësohet se 40-vjeçari Bregu, u fshihej forcave policore duke jetuar në shtëpitë e miqve të familjes së tij në Mallakastër. Sipas policisë, ai ka jetuar në këtë zonë përgjatë tri javëve që po kërkohej nga uniformat blu. Gjykata e Fierit ka dhënë në mungesë masën e sigurisë "burg pa afat". Mbi Bregun rëndon akuza e prodhimit të paligjshëm të artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore, si edhe falsifikim e etiketave të markave të tjera të pijeve alkoolike. Sasia e pijeve alkoolike të sekuestruara në fabrikën e tij në qytetin e Patosit kapte shifrën e 80 mijë eurove. Kanë qenë agjentët e Krimit Eko-nomiko-Financiar, i cili në bashkëpunim më uniformat blu të Qarkut dhe ato të qytetit të Patosit bënë të mundur zbulimin e bazës së shpërndarjes se pijeve alkoolike që më vonë ka rezultuar se ishte pikë furnizimi për jugun e vendit. Pas ushtrimit të kontrollit nga ana e Policisë dhe forcave të Krimit Ekonomiko-Financiar brenda fabrikës, pronë e shtetasit Mithat Bregu u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 4000 litra birrë të paambalazhuara, si edhe 30 mijë etiketa false, të cilat Bregu i përdorte për shitjen e prodhimit me ambalazhe të ndryshme. Mësohet se në momentin e arrestimit Bregu ka kundërshtuar akuzën, duke thënë se nuk kishte punuar në mënyrë të kundërligjshme dhe se nuk ishte në dijeni të mallit të sekuestruar.                           m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›