E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO, më mirë këtu se NE atje?!

• Martin Leka

Në pamje të parë, të gjithë duken të lumtur. Politikanët janë vënë në radhë për të përshëndetur aktin e madh të ftesës që do t'i bëhet Shqipërisë javën e ardhshme nga samiti që do të zhvillohet në kryeqytetin rumun. Berisha dhe maxhoranca që ai drejton do të duhet të jenë më të gëzuarit sepse përpos faktit se do të jenë në qendër të vëmendjes si një "dhëndër me nusen", por edhe për një tjetër arsye: me shpresë se elektorati shqiptar do ta konsiderojë si një fitore të tyren, pra të maxhorancës. Sepse në fakt, qeveri më me fat se sa kjo, zor se do të mund të gjendet në këtë vend. Kësaj maxhorance i është dashur të "vjelë" edhe frytet që kanë mbjellë të tjerët, falë edhe përkimit të "sezonit të vjeljeve politike" me qeverisjen e djathtë…
Por, nga ana tjetër, Berisha dhe maxhoranca do të mund të krenohen me këtë arritje, pra me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO edhe për një gjë tjetër, korrente. Kjo ka të bëjë me tragjedinë e Gërdecit, ende e freskët në memorien tonë kolektive apo selektive. Pranimi i Shqipërisë në aleancën e madhe ushtarako-politike do të përmirësonte sadopak, të paktën ndërkombëtarisht, imazhin e qeverisjes së djathtë pas shpërthimit tronditës të Gërdecit, i cili tronditi jo pak edhe pozitat e vetë qeverisjes dhe imazhit të dëmtuar ndërkombëtar pas artikullit të NYT.
Edhe opozita nga ana e saj, këto ditë ka rritur tonet dhe përmasat e shfaqjes së saj publike, duke përvijuar një qëndrim gjer në lutje për pranimin e vendit tonë në aleancën euro-atlantike. Sigurisht, për të rritur edhe kjo nga ana e saj bonuset politike, imazhin e saj -ndërkombëtar apo vendor. Spikat në funksion të kësaj që thamë më lart edhe takimi i djeshëm i liderit të PS-së Rama me ambasadorët e vendeve të NATO-s akredituar në vendi tonë, a thua se ftesa për në NATO nuk do të vinte pa u bërë ky takim. Në fakt, PS-ja, edhe me këtë takim, ishte në sinkron të asaj që ajo e ka paraqitur si "konsensus për reformat" që kërkon pikërisht ftesa e NATO-s, ndërkohë që në të vërtetë, paqja e saj me PD-në që u vu re edhe gjatë tragjedisë së Gërdecit, duket se ka pasur si qëllim pikërisht interesat e saj të ngushta për një sistem zgjedhor që do të garantonte atë që rëndom po konsiderohet si "bipolarizimi" politik.
Televizionet dhe radiot nga ana tjetër, si "zëdhënëse" të opinionit publik, me mikrofonat e tyre dalin në rrugë dhe pyesin kalimtarë të rastit e njerëz të profesioneve, moshave, interesave e sekseve të ndryshëm. Të gjithë pa përjashtim mbështesin anëtarësimin tonë në NATO! Eshtë sa emocionale dhe po kaq unikale që një popull i tërë të jetë mbështetës kaq i madh i aleancës euroatlantike dhe në veçanti, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?!... Edhe pse për shumëkënd prej këtyre mbështetësve, NATO është pak apo aspak e njohur dhe mbështetja vjen si rrjedhojë e politikës që ata përkrahin në vend.
Por ndoshta, instinkti i këtyre njerëzve është më provokativ se sa mund të imagjinohet me injorancën që mund të kenë këta njerëz të mirë me politikat globale. Ndoshta ata e duan NATO-n këtu, në Shqipëri, më shumë se sa Shqipërinë në NATO për shumë arsye...

***
E duan NATO-n këtu që të mos ketë më "Gërdec" tjetër. Nuk besoj, madje gjer në siguri, se këtu nuk do të mund të kishte shpërthim si ai që ndodhi në afërsi të Tiranës dhe ku pati viktima e dëme të shumta dhe që u konsiderua me të drejtë një tragjedi kombëtare. Po ta kishim pasur këtë fat më parë, sigurisht Gërdeci dhe gërdecarët do të jetonin të qetë në punën dhe jetën e tyre, pra, nuk do të kishte ndodhur kurrë ai shpërthim i paimagjinueshëm.
Po të ishte këtu NATO, nuk do të kishim frikë të flinim "me lepur në bark" se mos do na shpërthejë ndonjë tjetër depo a fabrikë a municion predhash a baruti nga qindra tonë të tilla anembanë vendit. Sepse ushtarët e NATO-s do të dinin t'i verifikonin, t'i çminonin e t'i mblidhnin, duke na pastruar nga kjo gjë e keqe, për të cilën kemi kaq shumë frikë…
Madje, edhe lekët që do të jepte NATO për këtë demilitarizim, do të menaxhoheshin sipas kritereve të tyre transparente të prokurimit dhe jo me metodat alla-shqiptare me Pinarë e Delijorgjë…
Shqiptarët e duan NATO-n këtu, sepse edhe nëse do të ndodhte ndonjë shpërthim tjetër, i cila pak gjasa do të kishte të ndodhte, sic e thamë më lart, të paktën do të gjendeshin personat përgjegjës e faji nuk do të mbetej jetim siç mbetën jetimë për fat të keq, shumë nga gërdecarët…
Këta njerëz të mirë, e kanë NATO-n ende me imazhin që la kjo aleancë gjatë ditëve të vështira të luftës në Kosovë në vitin 1999, kohë kur jo vetëm çliroi Kosovën, por i bëri edhe ca punë të tjera të mira këtij vendi… Po të ishte NATO këtu, të paktën rrugët e Tiranës do të ishin të shtruara më mirë e plehrat nuk do të mbeteshin si togje nëpër kosha të zgërlaqur e rrugëve… sepse ata kanë edhe kamionë të mëdhenj dhe nuk e durojnë dot erën e qelbur… Apo as lagje të Tiranës apo pallate të tëra të ndërtuara pa plan urbanistik, nuk do të ishin përmbytur sa here bien pesë milimetra shi…
Prandaj shqiptarët e duan NATO-n këtu! Jo sepse cenohen dhe rrezikohen nga rreziqe ushtarake të huaja, por pikërisht se duan mbi të gjitha, të mirëqeverisen, të jetojnë në siguri për jetën e pronën, për punën e mjedisin, me qëllim që ajri që thithin, jo vetëm të mos jetë i ndotur nga baruti i  Gërdecit, por të mos jetë i ndotur as nga papërgjegjshmëria e qeverisjes.
…Si ajo e "bulevardit", si ajo e "sheshit" të madh të Tiranës!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›