Autostrada u devijua për interesa të pushtetarëve

Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) akuzoi sot ministrin e Transportit dhe drejtues të tjerë të institucioneve të Kosovës për devijimin e trasesë së autostradës Vermicë-Merdar, për interesa të ngushta personale.
Adem Salihaj, nënkryetar dhe deputet i LDD-së, tha se devijimi i trasesë nga drejtimi Prizren-Suharekë-Shtime-Prishtinë, siç është paraparë më herët, në drejtim të Arllatit, është bërë për qëllime personale të kryeministrit Thaçi, kryeparlamentarit Krasniqi, zëvendëskryeministrit Kuçi dhe ministrit të Transportit, Limaj.
“Mos të harrojmë se në relacionin Duhël-Arllat, gjendet diku vendlindja e ministrit të Postë-Telekomunikacionit. Pastaj andej në atë pjesën tjetër vijnë kryeministri dhe kryetari i Parlamentit. Po ashtu autostrada lidhet me aksin rrugor Prishtinë-Pejë prej nga vjen zëvendëskryeministri... Pra, unë mendoj që arsyet mund të jenë më shumë aty sesa diku që realisht do duhej të ishin”, ka thënë Salihaj, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, edhe rruga nëpër Grykën e Carralevës është e rrafshët njësoj, sikurse ajo që kalon nëpër Arllat.
Akuzë tjetër e opozitës është se çmimi i ndërtimit të kësaj autostrade është jashtë normave dhe lë dyshime të mëdha për manipulime. Salihaj tha se një kilometër e autostradës së Shqipërisë ka kushtuar 6 deri në 6,4 milionë euro, ndërkaq në Kosovë ku terreni është më i rrafshët një kilometër autostradë do të kushtojë 7 deri 8 milionë euro.
“Ne e dimë se për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë është dashur të shemben kodra të tëra shkëmbore dhe të hapen tunele dhe ka kushtuar më lirë sesa një kilometër autostradë e Kosovës, e cila shkon nëpër terren pothuajse të rrafshët. Pra me çmimin nuk është diçka në rregull dhe në anën tjetër mosdefinimi i çmimit jep mundësi për manipulime të tjera përveç kësaj që është thënë”, ka thënë ai.
Nënkryetari i LDD-së, gjithashtu ka vlerësuar se ndërtimi i autostradës duket të mos jetë serioz, për faktin se për ndërtimin e saj, për vitin 2010, 2011 dhe 2012, janë ndarë vetëm 21 milionë euro.
Salihaj akuzoi qeverinë për tendencë që Rrafshi i Kosovës të shndërrohet në “zorrë qorre”, duke investuar më shumë në pjesën e Drenicës.