Sejdiu konfirmon pjesëmarrjen në Zagreb, Tadiçi e bojkoton

Presidenti Fatmir Sejdiu ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Kroacisë, Ivo Josipoviç, në Zagreb. Ndërkohë, mediat serbe raportojnë se presidenti i Serbisë, Tadiç, nuk do të jetë pjesë e ceremonisë, e cila mbahet më 18 shkurt.
Zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, i ka thënë KosovaPress-it se Sejdiu tashmë ka konfirmuar se do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri kroat.
“Presidenti Sejdiu ka konfirmuar shkuarjen e tij në inaugurimin e presidentit të ri kroat Josipoviq... Ftesa është dërguar përmes Ambasadës së Kosovës në Zagreb”, ka thënë ai.
Presidenti i ardhshëm i Kroacisë, Ivo Josipoviç, ka ftuar gjithë liderët e shteteve të Ballkanit në ceremoninë e betimit të tij, përfshirë presidentët e Kosovës dhe Serbisë. “Ftesat për pjesëmarrje në inaugurim u janë dërguar të gjitha vendeve, me të cilat Kroacia ka marrëdhënie diplomatike”, ka deklaruar vetë Josipoviç.
Por, ashtu sikur kishte paralajmëruar, presidenti serb, Tadiç, do të bojkotojë ceremoninë, në shenjë pakënaqësie me pjesëmarrjen e presidentit të shtetit të Kosovës, i cili ende nuk është njohur nga fqinji.
Mediat e Beogradit raportojnë sot, duke iu referuar Kabinetit të presidentit serb, se Tadiçi, definitivisht ka vendosur të bojkotojë ceremoninë e 18 shkurtit, pas informacioneve se presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të jetë i pranishëm në këtë ngjarje.