Avancojnë punimet në aksin Berat–Ballaban, Balluku: Një pjesë me asfalt brenda tetorit. Kumbaro: Me rëndësi për turizmin

Ndërtimi i aksit rrugor Berat–Ballaban ka avancuar ndjeshëm dhe frytet e para të punës pritet të merren brenda tetorit të këtij viti.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, inspektuan të hënën punimet në këtë aks, që synohet të nxisin zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
“Ecuria totale e kontratës për të tria lotet është 52 për qind, por kemi hequr volumet më të vështira. Gjithmonë ka një proces të parë, i cili është ai i hapjes së trasesë, sigurimi i skarpateve, që marrin kohën më të madhe. Pjesa e mbetur tashmë ecën shumë më shpejt. Kontrata përfundon në tetor 2026,” informoi ministrja Balluku.
Shefja e dikasterit të turizmit, znj. Kumbaro, tha se ky segment është shumë i rëndësishëm për sa i përket turizmit, që e lidh Beratin me aksin Leskovik-Përmet-Këlcyrë-Memaliaj.
“Projekti ka nisur për të rritur kualitetin e jetës së banorëve të zonës, për të rritur volumet e tyre të shkëmbimit bujqësor, për të lehtësuar fëmijët që shkojnë në shkolla, shkëmbimet midis fshatrave. Kjo rrugë kalon midis tri krahinave të rëndësishme, si Përmeti, Berati dhe Skrapari. Ka përparuar shumë edhe iniciativa individuale e banorëve të zonës për të bërë agroturizëm,” shtoi ministrja Balluku.
Pritshmëritë e inxhinierëve të rrugës janë që brenda këtij viti, segmenti nga Berati në drejtim të Ballabanit të asfaltohet dhe të jetë i kalueshëm për automjetet, duke filluar me lotin e tretë në muajin tetor.
Ministrja Balluku i inkurajoi inxhinierët të shpejtojnë me mbylljen e fazave të para të projektit para se të vijnë muajt e lagësht të vjeshtës e dimrit. Ajo komentoi edhe situatën energjetike për periudhën e nxehtë që po kalon vendi.
“Ky ka qenë një vit i thatë. Shpresojmë shumë që vitin tjetër, për shkak të kërkesave energjetike që vijnë në rritje, si pasojë e ekonomisë që rritet, bujtinave, turizmit, e gjithë hotelerisë që tashmë është shtrirë në të gjithë vendin, jo vetëm në bregdet, ne kemi një kërkesë shumë të lartë për energji elektrike. Korriku ka shënuar një rritje me gati 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar për sa i përket volumeve. Nga ana tjetër është rritur cilësia e shërbimit. Kemi pasur shumë pak stakime. Edhe ato kanë ardhur në mënyrë të vullnetshme nga vetë OSHEE-ja për të ruajtur linjat e shpërndarjes nga zjarret, me të cilat jemi përballur këtë vit,” deklaroi znj. Balluku.
/rtsh.al/