Avatari Basha përballë Ramës real
Takimi më i fundit i kandidatit Lulzim Basha me përfaqësues të komunitetit të gazetarëve dhe intelektualë të fushave të ndryshme është: Perfekt! Skenografi e bukur! Prezantuese me buzë të kuqe e sy ëndërrues. Në sfond, emra të rëndësishëm të artit e shkencës shqiptare. Dhe shumë dëshirë për të dëgjuar e për t’u dëgjuar. Mirëseerdhët në botën virtuale shqiptare! Që prej 2005 Partia Demokratike ka gjetur formulën për ta mirëofruar. Njerëzit lodhen nga zymtësia sepse është e zymtë shpeshherë jeta e tyre, ndaj duan ngjyra, fytyra të bukura dhe premtime të mirëkonfeksionuara. E ku ka rast më të mirë se një fushatë elektorale për ta ngjyrosur jetën e ditëzinjve. Kështu, sheshe e salla teatrosh e kinemash mbushen sic nuk janë mbushur ndonjeherë nga një film apo spektakël shqiptar. “Uuu sa vite kisha pa shkelur këtu te Artet”, do jetë shprehur ndonjëra. Po kape syrin, i ke kapur të gjitha nga një mendje e lodhur dhe e pamësuar. Lulzim Basha, në performancat e tij optimiste, në premtimet e tij për supertransparencë e legalitet është dyzuar. Eshtë projektuar si njeriu perfekt në mendjet e lodhura të tranzicionit me informacion kulture të cunguar. Nuk ka fare rëndësi se kush është Lulzim Basha realisht. Nuk ka rëndësi se çfarë ka bërë ai deri në ditën e fundit si Ministër i Brendshëm. Nuk ka fare rëndësi që s’ka dhënë asnjeherë llogari për dyshimet e hedhura. Që me nisjen e fushatës elektorale, Basha është projektuar si një Avatar në botën virtuale. Ai është një tjetër. Eshtë Basha që në jetën reale s’di çështë transparenca, por në atë virtuale premton vetëm transparencën. Eshtë Basha real që s’është hetuar për 4 të vrarë në bulevard në Shqipërinë demokratike, por që mban të gjitha përgjegjësitë si Avatar për mbarëvajtjen e Tiranës. Realish asgjë, e virtualisht gjithçka.
E përballë tij zymtësia e socialistëve. Kandidati për të katërtën herë për kryeqytetin ka humbur dhe ngjyrat. Edi Rama bën të kundërtën e Bashës: ka lënë rolin e tij si Avatar e ka zbritur në tokë. Mirëseerdhët në botën reale! Të vështirë për njerëzit e brishtë, për gratë, të moshuarit e për fëmijët. Kush mund të fitojë në këtë garë? Personalisht mendoj se ndiqet më shumë një telenovelë se një dokumentar.
(BalkanWeb)