E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet ekspozita me librat e viteve 1300

SHKODER Rikthehet në vendlindje biblioteka e famshme e Bushatlinjëve. Për here të parë pas kaq kohësh ekspozohet nje nga pasuritë më të mëdha kulturore jo vetëm të Shkodrës, por i të gjithë shqiptarëve, biblioteka e Bushatlinjëve, e cila ka libra që i përkasin viteve 1300. Në bibliotekën e qytetit "Marin Baleti", është bërë i mundur ekspozimi i rreth 150 vëllimeve. Ka qenë një bashkëpunim mes bibliotekës së Shkodrës dhe bibliotekës Kombëtare. Ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite është bërë pasditen e së shtunës rreth orës 18:00. Numri shumë i madh i pjesëmarrësve në këtë ceremoni ishte treguesi më i mirë i suksesit të këtij evenimenti. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari i pranishëm në ceremoni vuri në dukje rëndësinë e kësaj pasurie kombëtare. "Ne për herë të parë po nxjerrin prej mureve, jashtë Tiranës këtë fond të jashtëzakonshëm që ka biblioteka jonë. Fondi i Bushatlinjëve është një pasuri e madhe e të gjithë shqiptarëve. Nga Shkodra do të vazhdojmë këtë eksperiencë me Prishtinën ku do të ekspozojmë gjërat e rralla. Kam një kënaqësi të madhe që kjo nismë e jona fillon në Shkodër. Prejardhja e kësaj biblioteke është treguesi më i mirë i kulturës së Shkodrës dhe veriut të Shqipërisë", - ka pohuar Plasari.
EKSPOZITA
Sipas Plasarit, kjo bibliotekë dhe librat e saj që janë të fushave të ndryshme tregojnë jetën e Shqipërisë së atyre kohëve. Ndërkohë, Nexhmi Bushati, përfaqësuesi i familjes së madhe të Bushatlinjëve ka falenderuar organizatorët në emër të familjes duke pohuar se "Në saje të përkushtimit të zotit Aurel Plasari është bërë e mundur që të bëhet ndërkombëtarizimi i kësaj pasurie të madhe, pasi është mundësuar renditja e këtij fondi në kalendarin e aktiviteteve europiane". Ndërsa, Gjovalin Çuni, drejtor i bibliotekës "Marin Barleti" në Shkodër deklaroi se janë rreth 150 njësi të Bibliotekës së famshme të Bushatlinjëve në të cilat përfshihen letërsi, administratë, filozofi, fe, gjuhësi, kozmografi, retorikë etj. "Janë pasuria shpirtërore e pashallarëve të Shkodrës, si për të dëshmuar në njëfarë mënyre edhe thuajse krejt autonominë që gëzonte ky sanxhak në harkun kohor 1757-1831", - sqaroi ai
BIBLIOTEKA
E BUSHATLINJEVE
Sipas kronikanit Hamdi Bushati, Biblioteka u themelua si institut i përgjithshëm prej Mehmet Pashë Plakut dhe u mbajt e pasurua nga djemtë e tij, sidomos Mustafa Pasha, që përmendet si njeri studiues që kishte mëkëmbur një bibliotekë me libra frëngjisht dhe turqisht, të cilat në fund ia fali vakëfit të Shkodrës. Në librin "Shkodra dhe motet" me autor Hamdi Bushatin gjenden të dhëna të rëndësishme për këtë bibliotekë. Sipas këtij libri në bibliotekën e Vakëfit ka pasur afro 3000 volume teologjie, jurisprudence e libra të ndryshëm fetarë, tekste shkencore mbi fizikën, shkenca natyrore, matematikë, gjeometri, filozofi, astronomi, histori etj. Rreth viteve 1840 ngrihet ndërtesa madhe e Bibliotekës së Bushatlinjëve. Nuk ishte rastësi që në Shkodër të ekzistonte një bibliotekë e tillë. Në shekullin XVIII, Shkodra bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatlinjëve. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatllinjëve tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane. Më 1718 janë hapur në Shkodër agjencitë e para konsullore. Më 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Nga viti 1807 deri me 1809 u ndërtua bexhisteni në zonën tregtare në rritje të qytetit. Në shekullin e XlX rritja ekonomike eci me ritme të larta. Qendra tregtare ose pazari kishte rreth 2500 dyqane dhe ishte më i madhi në Ballkan. Qyteti arriti në 50.000 banorë dhe u bë qendër Vilajeti. Këtu prodhoheshin veshje kombëtare, pëlhurë, lëkurë, duhan, barut, që eksportohen. Ushtroheshin 80 profesione. Në qytet ishin 6 konsullata të fuqive europiane dhe vendeve fqinje. Në vitin 1867 qyteti u bë qendër e Arqipeshkvisë dhe kishte institucionet tregtare të kohës, gjykatë, drejtori postale, dogane etj.
VULA E MUSTAFA PASHËS
Në librin "Shkodra dhe Mote" me autor Hamdi Bushatin mësohet se të gjitha librat e bibliotekës vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, por me largimin e tij nga Shkodra, librat e bibliotekës vuloseshin me vulën e veçantë, që Pasha i kishte dërguar bibliotekës nga jashtë. Vula kishte këtë përmbajtje: "Mbështetja ime është Zoti dhe Ai është i mjaftueshëm- nga librat të cilat i ka bërë vakëf i përvuajturi pranë të mirave të Perëndisë, nga vezirët i quajturi Sherif Mustafa. Zoti është më i përhershmi". Kjo vulë ka pasur datën 1251 (1834- H.B.). Kjo jep të kuptohet se Veziri atë vulë e dërgoi prej së jashtmi, mbasi iku nga Shkodra në vitin 1831. Vulën e mbante kujdestari i bibliotekës, i ciii vuloste librat. Ndërtesa e bibliotekës ka qenë përballë Medresesë së Kara Mahmut Pashës, në skajin e djathtë duke hyrë në Xhaminë e Madhe. Të gjitha këto ndërtesa formonin një sektor më vete. Para se të ndërtohej biblioteka, librat ruheshin në një vend të veçantë, në Bexhisten, ndër dollapë të posaçëm. Ndërtimi i një instituti të tillë nxjerr në pah interesimin e Pashës për përhapjen e diturive në atdheun e tij, edhe pse ishte i larguar përgjithmonë prej këndej. Ai përveç se e mëkëmbi si ndërtim, por edhe e pajisi me libra të ndryshëm dhe të zgjedhura. Ai nuk hezitoi të blinte libra sado larg pa pyetur për çmimin e tyre. Në këtë bib1iotekë ka pasur libra të rralla. Në vitin 1929, disa orientalistë gjermanë patën ardhur në bibliotekën e vakëfit të këtushëm; mbasi e vizituan, dalluan disa libra të rralla shkencore të shkruara arabisht që atyre u nevojiteshin e që nuk kishin mundur t'i gjenin në ndonjë vend tjetër. Deshën t'i paguanin me çmime shumë të larta, por autori i kësaj vepre, që në ate kohë ishte administrator i Zyrës së Vakëfit të Shkodrës dhe kujdestar i bibliotekës, nuk pranoi një veprim të tillë. Biblioteka kishte dhoma dhe sallon ku mbaheshin librat edhe kishte vend studimi për lexuesit. Biblioteka në fillim ka pasur dy kujdestarë, të cilët ishin të detyruar në bazë të vakëfnames, të respektonin rregulloren e konceptuar prej vakëflënësit.
RREGULLORJA E BIBLIOTEKËS
Biblioteka funksiononte në bazë të një rregulloreje:
Mastafa Pasha, ndërsa ishte vali në Edrene në vitin 1848 formuloi vakëfnamen e tij. Në këtë dokument ai përcaktoi dhe rregulloren e bibliotekës. Në të shkruhet: "Po i la vakëf të gjitha librat e bibliotekës sime që kam lanë në Shkodër të Shqipnisë e që janë të vulosuna me vulën time dhe të regjistrueme dhe të ruejtuna në depon e veçante. Për ato libra kam vu kusht që pikë së parit: mbi çdo libër duhet të shkruhet çmimi i caktuem ndershmënisht prej një grupi të ylemave në të holla sermi. Kur ndokush dishron me marrë një libër për studim në shtëpi, ai person do të parapagujë të paktën një të tretën e çmimit si peng e pa u pague ajo shumë, libri mos t'i jepet. Së dyti, ylemate e qytetit do të zgjedhin dy kujdestarë, të parë e të dytë, për librat e bibliotekës. Këta do të subvencionohen prej myteveliut nga të ardhunat e vakëfeve të mia. Në rast se kujdestarët e bibliotekës abuzojnë apo e neglizhojne detyrën të pushohen dhe të zavendësohen me dy të tjerë të zgjedhun nga grupi i ylemave tue i sigurue atyne rrogat e caktueme. Në qoftëse në vakfin e përmendun (në bibliotekë) ndodh zjarm ose ndonjë katastrofë tjetër, duhet të zavendësohet me të ardhunat e një viti të vakfeve të mia ose me uhana të sigurueme me peng apo me dorëzanës dhe me interes ligj.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›