E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aventurat

Eksplorues, alpinistë dhe lundërtarë. Historitë e burrave dhe grave që kanë ndërmarrë sfida ekstreme Në këmbë, me biçikletë apo me kajak. Viti i sfidave të pamundura

Kam përshkruar 6.4 kilometra në total, edhe pse në të vërtetë janë shumë më tepër, sepse u detyrova ta bëja rrugën dy herë ngaqë nuk mund të ecja me të dyja slitat njëkohësisht. Përdorja njëherë njërën e herë tjetrën për shkak të kushteve shumë të këqija të akullit. Kam edhe një problem. Slita më e vogël më është dëmtuar. Por kjo nuk më bën të humbas guximin. Koordinatat e mia janë 83 gradë 09,278 V; 0,74 gradë 09.373P”. Ky është mesazhi i fundit i dhënë nga Michele Pontrandolfo i nisur në pesë marsin e kaluar, krejtësisht i vetëm, për të arritur një nga qëllimet më ambicioze të eksplorueseve të të gjitha kohërave: Polin e Veriut. Megjithatë, ekspedita e tij po zhvillohet në një heshtje totale ashtu si ajo e një numri të madh ekspoluersish të tjerë të angazhuar në çdo cep të botës për sipërmarrje sa të bukura aq edhe të pamundura. Paralelisht me të janë edhe 8 ekspedita të tjera, të vetme apo të përbëra nga shumë njerëz, që synojnë të shkojnë në pikën më veriore të botës. Shumë prej tyre kanë edhe qëllime shkencore, por pjesa më e madhe ka një motiv të vetëm: sfidën e njeriut për të shkuar në vende të largëta, të pabanuara dhe të vështira për t’u arritur. Por ka më tepër. Vetëm 16 vjeç një vajzë u nis nga Australia për të naviguar planetin krejt e vetme. Këto ditë gjendet në Afrikën e Jugut. Në ditarin e saj, thuajse të përditshëm lexohet për entuziazmin, vitalitetin, por edhe melankolinë dhe shpesh mungesën e dëshirës për të vazhduar më tej këtë sfidë kaq impenjative për një vogëlushe vetëm 16-vjeçare. Në listë ka edhe nga ata që duan të qëndrojnë në det 1000 ditë pa zbritur asnjëherë nga barka. Reid Stowe, një marinar artist, amerikan, e ka lënë tokën më 21 prill të vitit 2007 për të realizuar udhëtimin më të gjatë në det në historinë e njeriut (rekordi i mëparshëm zgjati 657 ditë dhe u krye nga Jon Sanders, që kreu qarkullimin rreth globit tri herë rresht në vitin 1987). Stowe do të rikthehet sërish në tokë më 17 qershor të këtij viti. “Doja ta realizoja këtë sipërmarrje, që e kam quajtur ‘Mars Ocean Odyssey’ për të realizuar një ushtrim fizik, psikologjik dhe shpirtëror që mund t’i shërbejë një grup astronautësh që duan të shkojnë në mars”, ka thënë Stowe. Në det po zhvillohet edhe sfida e “Phoenicia Ship Ecpedition”. Ajo ndodhet në gjysmën e rrugës së saj dhe dëshiron të navigojë gjithë kontinentin afrikan me një barkë të ngjashme me ato që përdornin fenikasit në vitet 600 para Krishtit. Pikërisht në këto ditë, gjenden në një zonë të populluar nga “piratët” e ditëve tona. Por ka të tjera sfida që po zhvillohen mbi dy rrota. Ky është rasti i veprimit të ndërmarrë nga Peter Gostelow që ka lënë Londrën për të arritur në Afrikë me biçikletë. Për momentin ka pedaluar rreth 9000 kilometra dhe gjendet në Senegal. Pastaj është edhe aventura e “Steppe by Steppe - Side by Side”, që brenda një viti mendon të përshkruajë stepat e Siberisë, Kinës dhe Mongolisë. “Nuk duam të jemi turistë, por duam të zhytemi në kulturat lokale për t’i njohur nga afër dhe për t’i dokumentuar sa më mirë që është e mundur. Për këtë arsye angazhohemi për një kohë kaq të gjatë”, shpjegon Roger Chao, që së bashku me Megan Kerr po kryejnë këtë sipërmarrje. Mes aventurave të mëdha dy janë në fazën e nisjes, sepse kjo është kjo periudha më e përshtatshme për të arritur në pikën e 8000 metrave nga toka. Në muajt e ardhshëm, dy gra do të arrijnë rekordin e “pushtimit” të 14 majave më të larta se 8000 metra. Bëhet fjalë për Edurne Pasaban, një alpiniste spanjolle që i ka arritur tashmë 12 maja 8 mijë metra dhe i mungonin vetëm majat e Shisha Pangma (8027m) dhe të Annapurna (8091 m). Në këto ditë donte të arrinte në majën e të parës, por Kina ia ka mohuar afrimin me malin përpara muajit prill. Atëherë i mbetet të arrijë majën tjetër të malit, ku ekspedita e saj po i hap rrugën për të arritur në majë sa më shpejt. Zonja Oh, alpinistes koreane, të cilës i mungon vetëm kjo majë mali, do ta kryejë këtë sipërmarrje në mes të prillit, kur ekspedita të tjera të kenë llogaritur borën dhe të kenë vendosur pikat kyçe për ngjitjen. Një nga alpinistët më të mirë në botë, italiani Simone Moro, ka bërë me dije se së bashku me Denis Urubko, me të cilin ka arritur të prekë majat e shumë maleve të larta këto vitet e fundit, do të hapë në muajt në vazhdim, një rrugë të re të vështirë mbi Lhotse. Një rrugë kjo që ka bërë për vete shumë breza alpinistësh, por që askush nuk ka arritur t’i ngjitë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›