E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kam qëlluar me shpullë nxënësit

Vëllai i Papës

Vëllai i Papës, në një intervistë dhënë dje për median, deklaroi se i kishte goditur me shuplaka në fytyrë nxënësit e një shkolle gjermane, në të cilën ai ishte drejtues i korit, por nga ana tjetër, nuk kishte qenë në dijeni të brutalitetit të disiplinës në atë shkollë.

Georg Ratzinger, 86 vjeç, i bëri komentet e mësipërme në një gazetë gjermane në vijim të akuzave për abuzime seksuale dhe fizike që u janë bërë nxënësve në shumë shkolla katolike të Bavarisë. Bavaria është edhe vendlindja e Atit të Shenjtë. “Nxënësit më kanë rrëfyer gjatë udhëtimeve që bënim për koncertet tona për atë që po ndodhte, por nuk kam qenë kurrë i ndërgjegjshëm për shkallën e shtrirjes së metodave brutale”, deklaroi Ratzinger. “Nëse do ta kisha ditur këtë gjë, pra për këtë lloj ushtrimi të dhunës, do të kisha bërë diçka… I kërkoj viktimave falje”, tha Ratzinger, i cili ka drejtuar “Regensburger Domspatzen”, korin zyrtar të dioqezës së Regensburg-ut nga viti 1964 deri në vitin 1994. “Në fillim, edhe unë kam qëlluar ndonjë në fytyrë, por pas kësaj kam pasur gjithmonë vrasje ndërgjegjeje”, ka vazhduar vëllai i Atit të Shenjtë, sipas të cilit, edhe shefi i shkollës i dënonte nxënësit në të njëjtën mënyrë. Dioqeza e Regensburg-ut është vendi ku ndodhen tri shkolla katolike dhe ndodhet në jug të shtetit të Bavarisë, rajon në të cilin së fundi kanë dalë shumë akuza për abuzimet fizike dhe seksuale të nxënësve në shkollat katolike. Një nga priftërinjtë e dioqezës ka abuzuar seksualisht me dy djem në vitin 1958 dhe pasi u zbulua, ai u dënua me dy vjet burg. Një tjetër prift vuajti 11 muaj në burg në vitin 1971 për abuzime. Ka pasur shumë ish-nxënës dhe nxënës së fundi që kanë ngritur akuza për abuzime të tilla për rrahje, poshtërime që nga viti 1960. Papa Benedikti, ish-kardinali Ratzinger, ka dhënë teologji në Universitetin e Regensburg-ut nga viti 1969 deri në vitin 1977. Sipas raporteve të muajve të fundit, priftërinjtë katolikë kanë abuzuar seksualisht mbi rreth 100 fëmijë në shkollat jezuite në të gjithë Gjermaninë. Peshkopi Robert Zollitsch, kreu i Konferencës së Priftërinjve Gjermanë, bëri edhe një falje publike dhe pritet që të udhëtojë këtë javë në Vatikan për t’u takuar me Papën e për të diskutuar në lidhje me skandalin. Ratzinger e pranoi se ka dënuar fizikisht studentë dhe nxënës të tij, por nga ana tjetër tha se nuk i kishte rrahur kurrë në mënyrë abuzuese dhe se ai dhe kolegët e tij nuk kishin folur kurrë për abuzime seksuale. Ai shprehu kënaqësinë, kur në vitin 1980 u shpall i paligjshëm dënimi fizik për nxënësit. Prej disa kohësh, Kisha Katolike po përballet me akuzat për abuzime seksuale të klerikëve në disa vende. Një muaj më parë, Papa mblodhi në Vatikan peshkopët irlandezë, për akuzat që u ishin bërë priftërinjve të ishullit të gjelbër për pedofili dhe abuzime.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›