Gratë e Orikumit, protesta për pronën
Kanë zgjedhur 8 Marsin për të protestuar për pronat mbi 60 gra të Orikumit. Ato janë mbledhur mëngjesin e djeshëm dhe i kanë bërë thirrje bashkëshortes së Kryeministrit Berisha për të ndërhyrë në zgjidhjen e çështjes së tyre. Me parulla në duar ato kanë përshkuar bulevardin e qytetit të Orikumit dhe janë ndalur në aksin rrugor Vlorë-Himarë, të cilin e kanë bllokuar për disa minuta. Policia ka ndërhyrë për të mos lejuar bllokimin e rrugës dhe kanë tentuar të shoqërojnë njërën prej protestuesve, por nuk është lejuar nga turma. “Sot në ditën e të drejtave të grave ne i drejtohemi znj. Liri Berisha, duke i thënë se toka jonë nuk ka ngjyra as të kuqe dhe as blu. Znj. Liri Berisha, toka jonë është toka e bukës dhe ajo ka ngjyrën e shpresës për të jetuar, ka lotët, dhimbjen, plagët e varfërisë, vragat e shpirtit dhe të fytyrave të vrara nga jeta, thinjat e prindërve tanë, mundin dhe sakrificën, dhimbjen tonë që po jetojmë për tokën që e kthyem nga kënetë në tokë bujqësore. Ne do ta mbrojmë tokën me çdo kusht. Mos doni të flijohemi si gratë e çikagos, që të na jepet e drejta?”, kanë deklaruar dje ish-punonjëset e NB-së Vlorë.
#