E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avioni nën urë

Ne Shqiptarët kemi hyrë në një fazë të re të historisë sonë, ndoshta më e bukura dhe më interesantja – ajo e epokës së integrimit. Dikur, nocioni ‘integrim’ ishte diçka abstrakte në letër dhe në fjalime udhëheqësish ndërsa sot jemi në pikën kur kemi paraqitur Planin e Veprimit për rekomandimet e BE-së si një sintetizim i përpjekjeve të përbashkëta të mazhorancës dhe opozitës.
Po shohim qartë përherë e më shumë se emra si Ettore Sequi, Stefan Fule, Stefano Sannino, Eduard Kukan, Libor Rouèek, Tanja Fajon e të tjerë janë bërë tashmë pjesë e historisë së integrimit të Shqipërisë. Një proces jo dhe aq i lehtë, por me sa duket sa më i vështirë aq më i paharrueshëm.
Pikërisht këta emra po hyjnë dalëngadalë në historinë e këtij vendi tamam si piloti i parë legjendar rus, Valery Chkalov i cili në sajë të aftësive të tij të veçanta profesionale, arriti të kalonte me avionin e tij poshtë urës. Jo vetëm për këtë akt, por edhe për një udhëtim papushim transpolar prej 5,288 milje në një hark kohor prej 63 orësh nën kushte të vështira atmosferike të realizuar në vitin 1937 nga Moska në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Chkalov hyri në historinë e kombit rus.
Këta përfaqësues të BE-së po demonstrojnë guximin dhe forcën për të injektuar ndryshimin në këtë vend të vogël ballkanik që ka një të ardhme të begatë nëse i thotë ‘po’ integrimit.
Jo pa qëllim, bëra një krahasim me një objekt sa marramendës aq të vështirë për tu drejtuar sa është – avioni. Gjithnjë kam menduar se procesi i integrimit është tamam si një fluturim me avion i cili ka një destinacion të caktuar. Po t’i analizosh me kujdes këto dy procese, do të mund të vini re se ato kanë shumë të përbashkëta si: Liria dominuese që i karakterizon; ndarja e një objektivi të njëjtë – atë të arritjes në një destinacion të caktuar; përgjegjësia e madhe që ka piloti (klasa politike) ndaj pasagjerëve dhe jetës së tyre (ndaj popullit); shkathtësia në manovrim; guximi, mençuria dhe largpamësia që duhet të ketë piloti (klasa politike) në këtë rrugëtim; aftësitë komunikuese, bashkëpunuese dhe koordinuese të veçanta të pilotit, ekuipazhit si dhe të stjuardesave me pasagjerët; të qënurit së bashku i njerëzve (skuadër) dhe të folurit e gjuhëve të ndryshme ‘europiane’ si një komunitet kompakt; marrja parasysh e rreziqeve dhe të papriturave që mund të çonin në dështim të plotë janë disa nga shumë veçoritë e përbashkëta që ndajnë këto dy eksperienca të paharrueshme.
Duke vazhduar këtë krahasim tërheqës, mund të thuhet se përfaqësuesit e BE-së përbëjnë motorin e avionit ose ‘zemrën’ e tij kurse piloti (politikanët tanë) përbëjnë shpirtin.
Shqiptarët tashmë kanë prerë biletën dhe kanë hipur në avion ndërkohë që ai sapo është ngritur nga pista. Në këtë pikë të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sa përgjegjësi ka piloti për vazhdimin e këtij udhëtimi duke garantuar jetën e pasagjerëve. Për diçka, jemi të qetë e të sigurt: Motori nuk do të pësojë asnjëherë ndonjë defekt. Përkundrazi do të ndihmojë dhe këshillojë pilotin kur ta shikojë se ky i fundit nuk po ndjek trajektoren e duhur. E keqja mund të vij vetëm nga gabimet e pilotit. Është kaq e rëndësishme që kabina e pilotit të tejçojë vetëm mirëkuptim dhe të ndajë një mendje për lëvizjet që duhet të bëjë. Kjo do të reflektohej qartë në qetësinë e pasagjerëve.
Para nesh shtrihet një horizont i pafund. Të gjithë jemi të paduruar si e si ta shfrytëzojmë dhe ta shijojmë këtë mundësi që na jepet për të tretën herë. Siç thonë edhe të moçmit: Tre herë i jep Perëndia mundësi njerëzve të provojnë veten. Mbas kësaj, je i humbur.
Urojmë të mos bëjmë ndonjë ulje të detyruar se kjo do t’i jepte një shije vërtet të hidhur kësaj eksperience. S’na mbetet gjë tjetër veçse të urojmë “Udhëtim të mbarë!”.
Këto figura do të kujtohen akoma edhe më shumë në vitet e ardhshme për kontributin e tyre në përfshirjen e Shqipërisë në familjen e madhe europiane.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›