Avokatët e Berishës në Gjykatën e Apelit. KLD nuk merr në shqyrtim kërkesën e Ina Ramës
Kërkesa e ish- kryeprokurores, Ina Rama, për të qenë pjesë e trupës gjykuese të Gjykatës së Apelit, ka kohë që fle nëpër dosjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
As në mbledhjen e së premtes, nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa, nuk ka denjuar të shqyrtojë kërkesën e ish- kryeprokurores së Shqipërisë për të qenë pjesë e trupës në këtë shkallë të gjyqësorit.
Përkundër kësaj kërkesë, në mbledhjen e KLD-së, Çefa ka propozuar dhe më pas janë miratuar me shumicë votash në vendet vakante të Gjykatës së Apelit gjyqtarë të përfolur për vendime të njëanshme apo që ishin në favor të njerëzve të pushtetshëm të qeverisë Berisha.
Kështu, pas propozimit të bërë nga Çefa, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarëve Agim Bendo, Ervin Metalla, Fatmira Hajdari, Ilir Mustafaj, Marie Qirjazi, Ridvan Hado, Shkëlqim Mustafa.
Ndërsa normalisht tashmë është vendosur se kjo trupë gjyqtarësh do të plotësojë Gjykatën e Apelit, bie në sy fakti se shumica e gjyqtarëve të votuar apo dhe propozuar nga Elvis Çefa janë njerëz që me vendimet e tyre i kanë shërbyer kësaj qeverisje. Në ikje e sipër kjo qeveri po shpërblen ato gjyqtarë, të cilët me vendimet e tyre kanë favorizuar këtë klasë politikë në çështje të rënda si dosja e Gërdecit, dosja e 21 janarit apo dhe gjyqtarë që kanë ndikuar në emërimin me vendim gjykate të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha.
Pikërisht këto gjyqtarë janë shpërblyer duke u emëruar në Gjykatën e Apelit, pasi dekretimi nga Presidenti Nishani tashmë është çështje procedurale.
Gjyqtarët e shpërblyer
Ndër emrat e shpërblyer nga KLD-ja, duke u katapultuar në Gjykatën e Apelit, është gjyqtarja Marie Qiriazi. Në verën e vitit 2011, atëherë kur u vendos emërimi me vendim gjykate i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Qirjazi ka qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor.
Asokohe gjyqtarja u akuza nga opozita e majtë për vendime të njëanshme.
Dy gjyqtarët e tjerë të shpërblyer janë Ridvan Hado dhe Fatmira Hajdari, e veja e Azem Hajdarit.
Hado dhe Hajdari kanë qenë pjesë e trupit gjykues të dosjes Gërdeci, ku sot e kësaj dite, familjarët e viktimave që gjeten vdekjen nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve, akuzojnë se nuk është vënë drejtësi për ta.
Një tjetër gjyqtar, që tashmë ka siguruar mandatin në gjykatën e Apelit, është Agim Bendo.
Edhe ky gjyqtar është përfolur jo vetëm për vendimet nepotike dhe politike, por edhe për gjobën e famshme 400 mijë euro ndaj emisionit ‘Fiks Fare’ për rastin Pango.
Në Apel KLD ka miratuar edhe një anëtar të vetin, Ilir Mustafaj. Ndërkohë që në mbledhjen e së premtes, KLD-ja ka miratuar dhe kandidaturat e gjyqtarëve që do të përbëjnë trupën gjyqësore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarëve të mëposhtëm:
Për gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë:
1. Afërdita Maho
2. Arbena Ahmeti
3. Avni Sejdi
4. Bernina Kondi
5. Bezart Kaçkini
6. Elda Vrioni
7. Elvana Çiçolli
8. Emiljano Ruli
9. Enerjeta Shehaj
10. Erarbër Madhi
11. Eriol Roshi
12. Gentian Hamiti
13. Gentian Medja
14. Gentiana Muçaj
15. Nafije Curri
16. Selvie Gjoçaj
Për gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës:
1. Bari Shyti
2. Elidon Papazisi
3. Genci Sinjari
Për gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë:
1. Etleva Gjamo
2. Sokol Ibi
Për gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër:
1. Valbona Durraj
