Avokatët e Metës: Ekspertët kompetentë, u provua montazhi. Prifti: Nuk më trembni dot
Avokatët mbrojtës të Ilir Metës, Petrit Serjani dhe Spartak Braho, kanë kundështuar dje deklarimet e deputetit Dritan Prifti në lidhje me takimin e zhvilluar mes tyre dhe ekspertëve të videos dy ditë përpara publikimit të konkluzioneve në gjykatë. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, dy avokatët kanë pohuar se do e ndjekin çështjen në rrugë ligjore.
Jam njohur me deklarimet e z. Dritan Prifti që pretendon se unë në cilësinë e avokatit të Ilir Metës jam takuar me ekspertët, të cilët janë ngarkuar nga Gjykata e Lartë për ekspertimin e çështjes Ilir Meta-Dritan Prifti duke precizuar në këtë deklaratën si vendin, kafe Evropa, ashtu edhe ditën, e shtunë paradite. Jo vetëm që nuk është e vërtetë që jam takuar me të tre ekspertët në ambientet e kafe Evropës por jam përpjekur që të kryej detyrën time të mbrojtjes si avokat dhe ta përmbush detyrën time në respekt të etikës dhe disiplinës ligjore,- tha avokati Serjani. Ai pohoi se nuk është takuar me ekspertët dhe se do të marrë hapa të mëtejshëm ligjore për këtë çështje.
Ndërkohë avokati Spartak Braho mbrojti ekspertët duke thënë se njëri ka mbaruar në Montpelie në Francë, tjetri ka mbaruar në Milano, kurse eksperti i tretë audio është ekspert me një eksperiencë të gjatë, i përdorur nga Prokuroria e Përgjithshëm kur ajo ka pasur nevojë për ekspertime. Braho ka pohuar se ekspertët shqiptarë kanë qenë në një mendje me ekspertin amerikan kur kanë thënë se në orë nuk gjendet asnjë video me Ilir Metën. Një nga konkluzionet e tjera të rëndësishme të ekspertizës është konstatimi në laptop, prova e prokurorisë, prova e z. Prifti në bisedën e regjistruar në këtë laptop kishte ndërhyrje të shumta. Ndërhyrje që qëndronin në tre çështje: Së pari kishte dhjetëra ndërhyrje të bërë me aparatura elektronike. U konstatuan ndërhyrje veçanërisht në fashën zanore të dëgjueshmërisë së videos së transmetuar. U konstatuan 9 ndërhyrje që lidhen me të famshëm tik-tak të orës, veçanërisht në pjesët e nxehta të asaj bisedës të pretenduar ku tik-taku nuk ishte në origjinalitet,- tha Braho. Të dy avokatët e Metës kanë kundërshtuar kërkesën e Priftit për një ekspertim tjetër të videos nga një vend i BE-së.
Prifti: Nuk më trembni dot me kërcënime
Në një deklaratë për shtyp deputeti Dritan Prifti reagoi lidhur me deklaratat e avokatit të Metës se do ta hidhte në gjyq: Nuk ka kërcënim në botë që më tremb mua të them të vërtetën. Kërcënimi i avokatit të djallit vetëm më argëton dhe më bën të qesh. Dy gazeta të përditshme kanë botuar në faqe të parë takimin e Serjanit me ekspertët e gjyqit Meta para se ta bëjë unë këtë citim. Ekspertët e videos kanë gënjyer publikun dhe drejtësinë. Ekspertët kanë kryer krim me shtrembërimin e drejtësisë dhe së vërtetës. Të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar skemën e mashtrimit. SHBA dhe Angli kanë prova dhe ekspertizën për mashtrimin e ekspertëve të
Meta: E vërteta e videos me Priftin
Një ditë pas publikimit të videos, më datë 12 janar të këtij viti, Ilir Meta, ende në detyrën e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka dalë në konferencë për shtyp duke shpjeguar bisedën me Priftin. Ai nuk e ka mohuar zhvillimin e bisedës, por ka pohuar se i është ndryshuar konteksti. Duke pretenduar se i janë lexuar gabim buzët, Meta ka dhënë shpjegime për të gjitha pjesët e videos.
Për koncesionin
Ky përgjim vërtitet rreth një ndërhyrjeje të realizuar gjoja nga personi im për interes të një kompanie të caktuar lidhur me një tender për dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushica në lumin e Gostimës. Dua tju bëj të ditur se ky tender është hapur në këtë Ministri që në 30 prill të vitit 2008, në të cilin kanë marrë pjesë tre bashkime shoqërish të ndryshme, pra tre konkurrentë. Kjo procedurë tenderimi dhe vlerësimi për dy vjet ka qenë e bllokuar, për arsye se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i Ministrisë kishte skualifikuar një nga konkurrentët, për arsye të konfliktit të interesit.
Për personin e quajtur Gimi
Përfaqësuesi i kësaj kompanie, i cili përmendet edhe në këtë përgjim dhe ledhatohet me emrin Gimi, në mënyrë zyrtare, pasi ka konsumuar pretendimet në emër të kompanisë në këtë Ministri, pasi ka vërejtur zvarritje dhe mos protokollim të vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, e cila kërkonte që kjo kompani të merrte pjesë në garë pasi ishte një gjyq që ishte fituar, duke hasur në vështirësi në këtë drejtim në këtë Ministri, është drejtuar te unë si Zv.Kryeministër, por edhe si kryetari i LSI, për shkak se ministri i asaj kohe ishte përfaqësues i kësaj force politike, me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, që kërkonte që kjo kompani të kualifikohej dhe të vlerësohej, duke ngritur pretendimin se të gjitha këto zvarritje ishin të padrejta dhe të pandershme, dhe ishin të qëllimshme në dëm të kësaj kompanie. Dhe unë thjesht këtë shqetësim dhe këtë problem ia kam pozuar ish-ministrit, duke kërkuar që thjesht të respektohej vendimi i Gjykatës së Apelit.
Për tenderin
Ky tender nuk kishte përfunduar së vlerësuar dhe së shpalluri fituesi, natyrisht për shkak të respektimit të vendimit të Gjykatës, kompania në fjalë, për të cilën pretendohet se ka pasur një përpjekje për ta favorizuar nga ana ime, është vlerësuar duke respektuar vendimin e Gjykatës së Apelit, por është skualifikuar për arsye të kritereve ekonomike dhe pikërisht ky është vendimi i 25 tetorit të këtij viti, ku Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka vendosur skualifikimin e bashkimit të përkohshëm të shoqërive, nuk po i përmend të gjitha emrat për arsye etike, por ky dokument do të jetë në dispozicion të prokurorisë dhe të gjithë institucioneve të ligjit, dhe ka kualifikuar në vend të parë një bashkim tjetër të përkohshëm, të cilit prapë nuk po ja përmend emrin.
Shifra 700
Unë nuk e di se çfarë është ajo 700 sepse unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për interpretimin që i bëhet buzëve të mia dhe as për përkthimin nga shqipja në shqip… Sot në mëngjes kam marrë një mesazh nga personi, të cilit i përmendet emri edhe në këtë bisedë e që ka qenë këshilltar i kompanisë në fjalë, ku ai thotë: Ju kam thënë që dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga zvarritja dhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës është 700 mijë euro.
Meta-Prifti, teksti i bisedës së përgjuar
Më 11 janar të këtij viti u transmetua një video ku shfaqej biseda mes Ilir Metës, Zv/kryeministër, ministër i Energjetikës, Kryetar i LSI-së dhe Dritan Prifti, deputet i LSI-së, ish-ministër i Ekonomisë. Në bisedë flitej për një koncesion në fushën e energjetikës, një kontratë karburantesh, një emërim në administratë dhe disa çështje të tjera. Mes tyre përmendet edhe emri i kryetares së Gjykatës së lartë, Shpresa Beçaj dhe fakti që ajo i kishte një nder borxh pushtetit pasi i kishte emëruar vajzën. Më poshtë teksti i plotë i bisedës:
Personazhet e bisedës janë: Ilir Meta – Zv/kryeministër dhe ministër i Energjetikës, Kryetar i LSI-së
Dritan Prifti- Deputet i LSI-së, ish-ministër i Ekonomisë
Gimi- Agim Çupi, pronar i firmës Egnatia
Shpresa – Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj vajza e së cilës është emëruar në ambasadën tonë në OSBE, Vjenë
TAKIMI MES METES E PRIFTIT
Meta – Çfarë thotë puna?
Prifti Mirë.
Meta – Tani, të dërgova një mesazh, ma kishte dërguar Turi. Faleminderit për bashkëpunimin dhe punën tuaj, numrin e telefonit?
Prifti – Po jo mo, ia çova Koli