E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon tri burgime të përjetshme për Gërdecin

Flamur Vezaj

TIRANË- Tre burgim të përjetshëm, 127 vite e 6 muaj burg, 80.9 milionë lekë të reja gjobë dhe një pafajësi kërkoi dje prokuroria për 27 njerëzit e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Burgimi i përjetshëm është kërkuar për Mihajl Delijorgjin, Dritan Minxhollin dhe Ylli Pinarin në një kohë kur të tre këta persona janë të lirë sepse u kanë mbaruar afatet e qëndrimit në paraburgim. Ata do të presin vendimin e gjykatës nga shtëpitë e tyre dhe nëse shpallen fajtorë do të paraqiten vetë tek dera e burgut së bashku me rrobat që do të marrin me vete. Situatë paksa absurde dhe në dukje e pavërtetë pasi vështirë se gjen një njëri që të presë kaq qetësisht burgun e përjetshëm, por ky është ligji shqiptar. Dënimet e kërkuara nga prokuroria janë kundërshtuar nga familjarët e viktimave. Ata kërkonin dënimin me burgim të përjetshëm të të gjithë të pandehurve.

Sipas prokurorisë, të pandehurit Mihal Delijorgji, kunati i tij Dritan Minxholli dhe ish-drejtori i kompanisë shtetërore pranë Ministrisë së Mbrojtjes MEICO, i pandehuri Ylli Pinari duhet të dënohen me burgim të përjetshëm. Ky i fundit, lajmin e masës së dënimit të kërkuar nga Prokuroria e ka marrë nga avokati i tij mbrojtës, në ambientet spitalore ku është shtruar dy javë më parë pasi ka kaluar një para-infarkt. Edhe Delijorgji e kunati i tij, Minxholli nuk preferuan që të paraqiteshin dje në gjykatë gjatë leximit të konkluzioneve nga prokuroria.

Përveç tre dënimeve me burg të përjetshëm për konsumimin e veprave penale të vrasjes në rrethana cilësuese më shumë se një herë, përfaqësuesit e prokurorisë kërkuan që 25 të pandehurit e tjerë të këtij procesi të dënohen me 127 vite e 6 muaj burg në total dhe 80 milionë e 900 mijë lekë të reja gjobë.

24 të pandehur janë ushtarakë ose funksionarë shtetërorë dhe për ta prokuroria kërkoi që të ndalohen për 95 vjet nga postet drejtuese në ushtri apo në administratë publike. Ndërsa, për një nga të pandehurit e këtij procesi, organi i prokurorisë tërhoqi akuzën për hetime të mëtejshme.

Për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare, prokuroria kërkoi nga togat e zeza që të deklarojë një person juridik fajtor njësoj si një person fizik. Dje prokuroria kërkoi dënimin e shoqërisë Albademil sh.p.k. për kryerjen e veprës penale Vrasje në rrethana të tjera cilësuese të kryer në bashkëpunim në dëm të 26 personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë. Gjithashtu, kërkoi që po kjo kompani të deklarohet fajtor edhe për kryerjen e veprës penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e saj në total me 75 milionë lekë të reja.

Sipas prokurorisë, të 28 të pandehurit, për të cilët organi i akuzës kërkoi masat e dënimit, kanë konsumuar veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 26 personave, shkatërrimit të pronës me eksploziv duke shkaktuar dëme të rënda materiale në vlerë 2.243.843.616 lekë, e cila përfshin shkatërrimin e pronës private në vlerë 2.141.343.616 lekë dhe shkatërrimin e pronës publike në vlerë 102.500.000 lekë. Shpërdorim të detyrës; shpërdorim të detyrës në kuadër komandues dhe akuzën e Falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim.

Dënimet dhe posti i çdo të pandehuri në tragjedinë e Gërdecit

Mihal Delijorgji është cilësuar nga prokuroria si njeriu me më shumë përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit. Për të është kërkuar që të kalojë të gjithë jetën në burg dhe nga ana tjetër të mos ushtrojë ndonjë funksione drejtues në ndonjë aktivitet të ndryshëm për 10 vjet. Nëse Delijorgji dënohet me burg përjetë duhet të mos drejtojë asnjë aktivitet në burg ose ky është një tregues që dënimi nuk do të jetë kaq i ashpër.

Për Ylli Pinarin, përveç masës së dënimit kapital, prokuroria kërkoi që të paguajë edhe një shumë prej dy milion lekëve të reja në formë gjobe. I vetmi i pandehur që ndodhej në sallën e gjyqit dhe që akuzohej për vrasje ishte Sokol Ngjeçi për të cilin prokuroria kërkoi dënimin e tij me 23 vite burg. Dënime me burg, për prokurorinë, duhet të jepen edhe për ish-krerët e lartë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe atyre që tashmë janë në detyrë pranë Shtabit të Përgjithshëm apo Ministrisë së Mbrojtjes.

Për ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjeneral Luan Hoxha, ish-komandantin e Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu, ish-drejtorin e Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes njëherazi ish-kryetar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve Dashnor Çaushaj dhe ish-drejtorin e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani organi i akuzës kërkoi dënimin me nga 8 vjet burg secilin. Për këtë të fundit, akuza kërkoi që të dënohet përveç dënimit me burg edhe me gjobë prej 2 milion lekë të reja. Gjithashtu, për këta të pandehur, Hoxha, Spahiu, Çaushaj dhe Madani prokurori kërkoi që për pesë vitet e ardhshme të mos ushtrojnë asnjë funksion drejtues apo publik.

Për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes Ardian Mullai që mbante këtë detyrë në kohën e ngritjes së fabrikës së demontimit, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 7 vite burg dhe për 5 vitet e ardhshme ti hiqet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike. Për ish-komandantin e Komandës Mbështetëse, Zija Bahja prokuroria kërkoi dënimin e tij me 6 vite burg dhe 4 vitet e ardhshme pas burgut të mos ushtrojë funksione publike. Ndërkaq, për ish-ushtarakët dhe civilët e Ministrisë së Mbrojtjes, të pandehurit Agim Lala, Hilmi Laçaj, Jorgo Mino, Fahri Toska, Agim Babameto, Rezart Tërshana dhe Hysni Çoçka prokuroria kërkoi dënimin me nga 4 vjet heqje lirie.

Për të pandehurit Armand Tartari dhe ushtarakut Zenun Ferro prokuroria kërkoi dënimin e tyre me nga 4 vjet e 6 muaj burg. Për ish-anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve të fishekëve Fatbardh Kuçi, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari dhe Besnik Dauti prokuroria kërkoi dënimin me nga 3 vjet e 6 muaj burg secilit. Akuza për të pandehurin Ndue Marku kërkoi dënimin e tij me 3 vite burg dhe 400 mijë lekë të reja gjobë. Ndërkaq, për të pandehurit Juliana Margariti prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet e 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë.

Për Fiqiret Maton akuza kërkoi dënimin e tij me 2 vite burg dhe 1 milion lekë të reja gjobë. Për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes në kohën e shpërthimit të Gërdecit të pandehurin Ardian Mema prokuroria kërkoi dënimin e tij me 1 vit e 200 mijë lekë gjobë. Ndërkohë, për ish-drejtorin e Uzinës së Poliçanit të pandehurin Lavdi Shatro, firmën e të cilit e kishin falsifikuar, prokuroria tërhoqi akuzat për hetime të mëtejshme. Ndërsa prokuroria kërkoi nga togat e zeza të shpallë fajtore shoqërinë Albademil dhe ta dënojë atë me 75 milion lekë të reja gjobë dhe për 20 vitet e ardhshme kompania të mos kryejë demontim të municioneve.

Maksim Haxhiaj, avokati i Delijorgjit: Prokuroria i shërben klaneve për qëllime politike

“Pretenca e lexuar nga prokuroria ka transmetuar dy mesazhe. Një që Prokuroria është katandisur në pikën më të errët që ka qenë ndonjëherë organi i akuzës në Shqipëri, pasi tregoi që vetëm profesionalizëm nuk ka në atë institucion. Ky qëndrim i prokurorisë nuk do ti shërbej drejtësisë së këtij procesi gjyqësor. Pasi në qëndrimin e saj tregoi se i shërben klaneve të caktuara për të arritur synimet e tyre politike. Organi i akuzës, u përdor në këtë rast nga duart e atyre klaneve politike që i shërbejnë luftës së brendshme të tyre. Edhe gjyqi i Nurenbergut nuk ka dhënë dënime më të larta. Kjo tregoj edhe njëherë se organi i akuzës, kërkoi dënime maksimale për ata persona që nuk kanë lidhje me shkaktarët dhe p

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›