Avokatët hidhen në protestë ndaj gjyqtarit: Na pengon në punë
Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka zhvilluar një protestë përpara Gjykatës së Rrethit, duke bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore, deri në një afat të pacaktuar.
Shkak për paralizimin e funksionimit të këtij institucioni, është bërë arrestimi i avokatit Bujar Dyrmishi, i cili u arrestua nga policia një ditë më parë, pasi goditi në zyrën e tij gjyqtarin Xheladin Karkini, gjatë një sherri banal, raporton TCH.
Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Elbasanit, Jani Vaso, u shpreh se ndalimi i Dyrmishit është antiligjor, Vaso akuzon policinë për ushtrim dhune fizike ndaj kolegut të tyre.
Nën një zë avokatët e Elbasanit kërkojnë marrjen e masave nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndaj gjyqtarit Xheladin Karkini, sepse në mënyrë të përsëritur ky i fundit përplaset me ata, duke penguar punën sidomos në zgjatjen e proceseve gjyqësore.
Nëse ndaj gjyqtarit Karkini nuk merret asnjë masë, atëherë seancat gjyqësore do të pezullohen, qofshin ato edhe masa arresti.
Bujar Dyrmishi, ish- kryetari i Gjykatës së Librazhdit është arrestuar pasditen e së mërkurës, pasi dyshohet të ketë goditur në zyrë Xheladin Karkinin, në momentin që ky i fundit ka tentuar ta nxjerrë jashtë zyrës me forcë.