Të gjithë ata që vrasin për gjakmarrje, do të shkishërohen
Metropolia e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës ka marrë një vendim, ku thuhet se të gjithë ata që vrasin për gjakmarrje, por edhe ata që vrasin, do të shkishërohen.
Shpallja e dekretit do bëhet pasdite në katedralen e qytetit të Shkodrës. Këto zona janë më të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes.
Para pak ditësh një 49 vjeçar u ekzekutua nga një grua, që tha se shteti nuk kishte kapur vrasësin e prindërve të saj, ndaj ajo mori gjak.
Vendimi ekstrem i kishës katolike synon që të ulë tensionet dhe të minimizojë vrasjet, që nuk kanë lënë jashtë as klerikët. Një pastor u ekzekutua në Shkodër vjet.
Ndërsa në fund të muajit gusht, po në qytetin e Shkodrës, atë e bir u qëlluan me breshëri automatiku. Për pasojë mbeti i vdekur në vend 46-vjeçari Frederik Marku nga Mirdita, ndërsa i biri, 22-vjeçari Jurgen Marku mbeti i plagosur.
Si autori ashtu dhe viktima dy orë para ngjarjes kishin qenë të shoqëruar në polici për një grindje që kishin pasur një ditë më parë.
Një javë para kësaj ngjarjeje, në fshatin Bardhaj të rrethit të Shkodrës, dy vëllezër u qëlluan dhe njëri prej tyre ndërroi jetë, pas një prite në oborrin e shtëpisë, përsëri për arsye gjakmarrjeje.
