"Çifti Martin" në Euro-Scene Festival
Shfaqja "Çifti Martin" me regji të Bekim Lumit, produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës zgjidhet një nga shfaqjet pjesëmarrëse në edicionin e 20-të të Festivalit Teatror Kontemporan Europian "Euro-Scene", i cili mbahet 2-7 nëntor në Lajpcig, Gjermani. Premiera e shfaqjes në festival është më 5 nëntor.
Marrin pjesë 12 shfaqje nga vende të botës (Belgjikë, Francë, Bullgari, Holandë, Itali etj.). I pranishëm edhe koreografi franko-shqiptar Angjelin Preljocaj, me baletin "Empty moves".
"Çifti Martin" i Eugene Ionescos u vu në skenë nga Bekim Lumi në nëntor 2008. Interpretojnë Astrit Kabashi e Gresa Pallaska.
Është një krijim eksperimental i ndërtuar mbi një skenë të vetme (me një tekst prej tri faqesh) të antikomedisë "Këngëtarja tullace" e Ionescos. Regjisori e ka konceptuar dhe realizuar në formën e teatrit burlesk me elemente të muzikalit. Ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare.
Regjisori Bekim Lumi është shprehur se "Kosova ka nevojë për një prani sa më të madhe të produksioneve të saj teatrore në festivalet dhe në ngjarjet e përmasave europiane, sepse, përmes pranisë së saj në këto ngjarje, ajo mund të bëhet më lehtë dhe më shpejt pjesë e natyrshme e trendeve dhe e standardeve artistike ndërkombëtare".
Lumi është ftuar edhe në simpoziumin "Zhvillimi dhe gjendja e teatrit në Europën Lindore dhe Perëndimore pas 20 vjetësh", i cili organizohet nga Instituti Ndërkombëtar Teatror i Berlinit, në kuadër të Festivalit.
Drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Jeton Neziraj e komenton ftesën nga Euro-scene Festival "një prej sukseseve më të mëdha që ky teatër ka arritë në planin ndërkombëtar. Jam optimist që kjo shfaqje do të shihet edhe në më tepër festival ndërkombëtare, sepse është e punuar mjeshtërisht nga regjisori Lumi dhe natyrisht, ka dy aktorë të mrekullueshëm".