Avokati: Fazlliç në Tiranë, nëse do kërkohet nga prokurorët
Damir Fazlliç do të vijë në Tiranë sërish nëse do të ketë një thirrje nga Prokuroria. Ky deklarim u bë dje nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, gjatë emisionit “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, i cili u shpreh se ligjërisht klienti i tij duhet të merret në pyetje me anë të një letër-porosie. Por, nëse do të ketë një thirrje nga prokurorët e çështjes, ai nuk do të ketë frikë të vijë sërish në Tiranë për t’u pyetur nga ata lidhur me akuzën e ngritur. Avokati i Damir Fazlliç, Genc Gjokutaj, pasi ka pranuar faktin që pronat e klientit të tij janë sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës, e ka konsideruar një veprim të tillë shkelje. Ndërsa lidhur me çfarë ka bërë Fazlliç dhe për të cilën akuzohet biznesmeni, avokati Gjokutaj u shpreh se “as Prokuroria nuk është e qartë se çfarë ka bërë Fazlliç”. Sipas avokatit, Prokuroria ka nisur procedimin penal në bazë të shkrimeve mediatike, sepse teknikisht një proces real zgjedh një rrugë procedurale për të nisur. I pyetur lidhur me kontratën për të cilën akuzohet Fazlliç, avokati Gjokutaj u shpreh se “është lehtësisht e provuar se kontrata e Fazlliç është reale, jo fiktive”. Interesimit nëse klientit të tij i ka sjellë probleme politika apo jo, avokati Gjokutaj i është përgjigjur se nuk ka liri të plotë për të folur për këtë aspekt, pasi ai mbron vetëm interesat ligjore të klientit të tij dhe se nuk mund të prononcohet për çështje që kanë të bëjnë me debatet politike për Fazlliç. Lidhur me hetimin e Prokurorisë, sipas avokatit, është fund e krye politik. “I mbrojturi prej meje është thirrur nga prokurorët me një shkresë primitive që i është dërguar Komisariatit të Rinasit. Në bazë të ligjeve në fuqi, Damir Fazlliç mund të thirret me anë të një letër-porosie”, - u shpreh avokati, ndërkohë që shtoi se organi i akuzës ka gabuar edhe në rastin e sekuestrove. “Sekuestrot bëhen vetëm me vendim gjykate dhe nga prokuroria kur bëhet fjalë për rast urgjent. Në rastin e Fazlliç nuk ka pasur urgjencë, pasi bëhet fjalë për një episod të vitit 2007 dhe fillimit të vitit 2008. Ku kanë qenë organet hetimore gjatë kësaj kohe?”, - vijoi prononcimin e tij Gjokutaj. Sipas tij, Prokuroria po i tejkalon procedurat, ndërkohë që saktësoi se “Fazlliç është duke u hetuar vetëm për një episod të vetëm, kontratën e firmosur, pasi tjetër akuzë nuk ka”. Avokati ka saktësuar se Fazlliç nuk mund të vijë sa herë e kërkon prokuroria, ndërkohë që prej datës 8 tetor për klientin e tij nuk ka pasur thirrje tjetër nga organi i akuzës. “Nëse Fazlliç do të kërkohet nga Prokuroria, ai do të vijë”, - përfundoi avokati Gjokutaj.