E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Butrintit, katër persona në kërkim

Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim organizatorët e tragjedisë së Butrintit, ku humbën jetën një nënë 22-vjeçare dhe vajza e saj tremuajshe. Personat të cilët dyshohet se kanë organizuar këtë kalim të paligjshëm të kufirit janë katër. Sipas njoftimit të policisë është ngritur një grup hetimor për tragjedinë e ndodhur në liqen, që do të kryesohet nga prokurori i Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe në përbërje do të ketë drejtuesit e policisë së qarkut Vlorë, drejtues të policisë së Sarandës dhe drejtues të Sektorit të Antitrafiqeve në Policinë e Shtetit.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit gjithashtu thuhet se janë identifikuar drejtuesit e barkës së mbytur dhe po punohet për dokumentimin e veprimeve të tyre në këtë ngjarje, si dhe arrestimin e tyre. Nga pyetja e personave të shoqëruar dhe nga tërësia e veprimeve të tjera policore është bërë i mundur identifikimi i personave që kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Por për shkak të hetimit nuk bëhen të ditur emrat e katër të dyshuarve që organizuan këtë kalim të paligjshëm të kufirit. Mendohet se tragjedia e ndodhur në Butrint mund të jetë organizuar në Fier. Kërkimet janë përqendruar në këtë rreth, pasi sipas burimeve të policisë, tre nga katër trafikantët që kanë organizuar largimin e paligjshëm të kufirit janë shtetas me banim në Qarkun e Fierit. Tre emrat e trafikantëve të shpallur në kërkim nga policia janë: Yqmet Sollaku, me banim në fshatin Kuman të rrethit Fier, Albert Gega po banor i fshatit Kuman, si dhe Brahim Madhi, i lindur në fshatin Luar dhe banor i Roskovecit. Sipas burimeve të policisë, mësohet së lëvizja e fundit drejt Greqisë në mënyrë jo të ligjshme është organizuar prej afro një jave, ndërkohë që dy ditët e fundit është bërë grumbullimi i klandestinëve.

Kërkimet

Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme polumbarët kanë ndërprerë kërkimet në liqenin e Butrintit, për të gjetur 18-vjeçarin Ndriçim Miftari.

Kjo, pasi sipas burimeve të policisë në vendin e ngjarjes, në zonën e liqenit nuk është gjetur asnjë gjurmë nga i zhdukuri.

Ndërkohë, uniformat blu dhe grupi i kërkim-shpëtimit vazhduan me kërkimet në fshatrat pranë zonës. Ata i kanë përqendruar kërkimet në terren. Sipas burimeve të policisë, nuk ka prova që i riu të ketë vdekur dhe 18-vjeçari mund të ketë mbijetuar dhe të jetë arratisur për në vendin fqinj. Kjo ka bërë që policia të mos kërkojë më në liqen, pasi në zonën e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gjurmë e Miftarit. Megjithatë kërkimet janë duke vazhduar në fshatrat pranë zonës së ngjarjes së rëndë.

Prokuroria

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet e saj për tragjedinë e Butrintit. Burime nga kjo prokurori bënë me dije se hetimet kanë nisur vetëm për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, për autorët përgjegjës, të cilët nuk janë vënë ende në pranga. Nga ana e prokurorisë do të nisin të gjitha verifikimet për të zbardhur ngjarjen, si dhe aktivitetin kriminal.

Ngjarja

Tragjedia nisi rreth orë 19:20 minuta të mbrëmjes së të dielës, kur një grup prej 22 personash të ndarë në dy varka kanë tentuar të kalojnë nga Butrinti në anën tjetër të liqenit në Xarë dhe më pas nëpërmjet Konispolit do kalonin ilegalisht në Greqi, nëpërmjet pikës doganore të Qafë-Botës. Pasi kanë lundruar rreth 60 metra nga bregu, njëra nga varkat në të cilën udhëtonin 13 klandestinë është mbytur. Viktimë e kësaj tragjedie mbeti Elvira Jaho dhe foshnja e saj 3-muajshe, Klara, ndërsa mbijetoi kryefamiljari Dritan Jaho. Ndërsa 18-vjeçari Ndriçim Myftari nga fshati Bubullimë i Lushnjes rezulton i zhdukur.

Personat e mbijetuar nga tragjedia e Butrintit

1. Skënder Ruçi, i lindur në 1965 në Portës, Fier

2. Elidon Manaj, lindur në 1974, në Patos, Fier

3. Brunilda Manaj, lindur në 1981, Patos, Fier

4. Gerti Duraj, lindur në 1986, Frakull, Fier

5. Erion Duraj, lindur në 1987, Frakull, Fier

6. Marsid Mita, lindur në 1992, në Lushnje

7. Elton Mehmeti, lindur në 1980, në Cërrik

8. Taulant Duraj, lindur në 1988, Frakull, Fier

9. Artan Çobaj, lindur në 1992, Portës, Fier

10. Sajmir Xhekalili, lindur në 1981, në Rukaj, Mat

11. Qemal Stashkollari, lindur në 1992, Lushnje,

12. Valbona Senja, lindur në 1982, Elbasan

13. Agim Shermadhi, lindur në 1956, Klos, Elbasan

14. Indrit Azisaj, lindur në 1988, në Fier

15. Fatjon Sene, lindur në 1990, Mollas, Elbasan

16. Ardian Lazaj, lindur në 1976, Mallakastër

17. Lavdosh Kuca, lindur në 1973, Tepelenë

18. Vambaster Gjinushi, lindur në 1989, Tepelenë

19. Klodian Calliu, lindur në 1987, në Durrës

20. Sokol Mali, lindur në 1985, në Pezë-Helmes, Tiranë

21. Maringlen Hoxha, lindur në 1978, në Fier

22. Denis Zema, lindur në 1991, në Lushnje

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›