E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët; Ligji i Avokatisë me mangësira, Kuvendi të mos e kalojë

Forumi i Avokatëve janë mbledhur dje në një takim për të diskutuar projektligjin për “Avokatinë”, ndryshimet e propozuara dhe ku konsistojnë vërejtjet e tyre për të, në këndvështrimin e grupit të interesit. Në një deklaratë të paraqitur në fund të takimit, avokatët shprehen se “grupi kryesor i interesit lidhur me këtë projektligj është komuniteti ynë, i mbi 4.000 avokatëve. Por edhe grupi më i aftë, më profesional që mund të japë kontribut maksimal për të bërë një ligj bashkëkohor, perëndimor dhe plotësisht demokratik “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”, janë po këta 4.000 avokatë të këtij vendi”. Sipas tyre, ata janë mbajtur larg hartimit të këtij projektligji, duke mos u marrë mendim, por edhe nuk janë vënë në dijeni për të diskutuar mbi të. Projektligji, sipas avokatëve, i cili pritet të diskutohet dhe të miratohet shumë shpejt nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në vend të përmirësonte mangësitë e dukshme të ligjit nr. 9109, datë 17.07.2003 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”, ka bërë hapa serioze pas, duke u hapur shtegun shkeljeve të rënda të parimeve kushtetuese të parashikuara ne nenet 28, 29, 30, 31, 32, 33, 34 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. “Në parim ky projektligj e ka vendosur pozitën e institucionit të avokatisë, ose të mbrojtësit ligjor, siç theksohet në Kushtetutë, nën varësinë dhe ndikimin direkt të pushtetit ekzekutiv, nën varësinë dhe trysninë e organit të akuzës dhe të pushtetit gjyqësor”, - vijojnë deklaratën avokatët e Forumit të Avokatisë. Sipas tyre, ky projektligj i heq institucionit të mbrojtjes ligjore të drejtën për të qenë ndikues me pavarësinë e tij në pavarësinë e gjyqësorit dhe në dhënien e drejtësisë në bazë të ligjit, provave dhe fakteve në këtë vend, duke respektuar me rigorozitet prezumimin e pafajësisë për cilindo person, deri sa t’i provohet fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë. “Dhoma Kombëtare e Avokatisë regjistron vendimet disiplinore dhe njofton Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm për këto vendime”. Në këtë pikë, avokatët kundërshtojnë hapur, duke u shprehur se “nuk e kuptojmë ç’punë ka Prokurori i Përgjithshëm me vendimet disiplinore të Dhomës Kombëtare të Avokatëve, dhe a ia dërgon Prokurori i Përgjithshëm vendimet disiplinore që merren kundër prokurorëve?!”. Sipas tyre, ky formulim është një tendencë e hapur për ta vënë institucionin e mbrojtësit ligjor nën kontrollin e plotë të organit të akuzës, të organit ekzekutiv, e madje edhe të organit gjyqësor, me qëllim që zëri i këtij institucioni të shuhet dhe padrejtësia të kthehet në sistem.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›