Avokati i Metës, kafe me ekspertin e video-skandalit

Avokati i Metës, Veleshnja me ekspertin e video-skandalit, Beqiri
Me 14 janar Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Gjyqi ndaj tij është një nga më të bujshmit në Shqipëri dhe akoma vazhdon të jetë një çështje enigmë.
Kjo pasi shumë mendojnë se drejtësia nuk ishte në gjendje të jepte drejtësi. Kjo u theksuar edhe në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan, ku thuhet se ligji parashikon dënim penal për korrupsionin zyrtar por gjithsesi qeveria nuk e ka zbatuar në mënyrë efektive. Vazhdimisht zyrtarët janë përfshirë në praktika korruptive por nuk ka pasur ndëshkim. Në raport thuhet se para ligjit janë nxjerr disa zyrtar të nivelit të ulët dhe të nivelit të mesëm por gjykimi i zyrtarëve të lartë mbetet problematik.
Ish-zv.kryeministri akuzohej për korrupsion aktiv dhe prokurorët kërkuan dy vjet burg dhe një milion lekë gjobë, akuza të cilat u ngritën mbi të ashtuquajturën video-skandalin Meta-Prifti.
Videos iu bë ekspertizë nga amerikanët, britanikët dhe shqiptarët dhe në fund drejtësia mori në konsideratë ekspertizën e këtyre të fundit.
Publikimi i një fotoje nga Shqiptarja.com, ku avokati i Metës, Gëzim Veleshnja shfaqet bashkë me ekspertin e pavarur të ekspertimit të videos, Ermal Beqiri.
Të dy kanë ndenjur për më shumë se 40 minuta në një kafe pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndoshta për të reflektuar mbi procesin e bujshëm gjyqësor “Meta”, raporton Shqiptarja.com.
Edhe para zhvillimit të gjyqit u publikuan disa foto ku ekspertët takoheshin me avokatët e Metës. /F.S/