E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Vetëm unë di ta mundë Sali Berishën

Fatos Nano

Pak minuta pas deklaratës për mediet, Fatos Nanon ka lëshuar një komunikatë për shtyp. Në thuhet se ashkush nuk mund ta përjashtojë atë nga PS dhe se ai është i vetmi që mund të fitojë kundër Sali Berishës.

PS nën drejtimin e Nanos e ka mundur Sali Berishën që në zgjedhjet lokale në korrikun e vitit 1992, pak muaj pas fitores zulmëmadhe të Sali Berishës në 22 marsin e pandalshëm për shkak të rrjedhës historike. PS me Fatos Nanon e kanë mundur Sali Berishën në kushte shumë më të vështira konkurimi sesa këto në të cilat ndodhet apo për të cilat ankohet sot Kryetari i pamerituar dhe humbës i PS Edi Rama. PS me Fatos Nanon e ka mundur Sali Berishën në të gjitha zgjedhjet e votimet e mundshme parlamentare, lokale apo referendare.

Në këtë komunikim me mediet nënizohet se “Nano ka humbur vetëm zgjedhjet e vitit 2005 për shkak të ndarjes së PS por edhe për shkak të pabesisë dhe kurtheve e goditjeve passhpine dhe nënbrinjë të Edi Ramës me lëvizjet e krijuara e mbështetura prej tij të njohura asokohe si MJAFT, më vonë si G99, e sot si grushti i çeliktë rreth Edi Ramës për uzurpimin, keqpërdorimin dhe humbjet e parreshtura të PS. /F.S/

*    *    *

Fatos Nano nuk e fsheh ambicien për t’u rikthyer në krye të PS-së: Rama humbës

Fatos Nano, pas deklaratës së Edi Ramës se ai që prej largimit nga PS i ka shërbyer qeverisë, ka rritur dozën e akuzave ndaj liderit të opozitës. Sipas ish-kryeministrit socialist, Rama prej shtate vitesh që ndodhet në krye të PS-së, e ka çuar të majtën nga humbja në humbje dhe se lëvizja e tij është për ti dhënë fund kësaj.

Në rast se Rama vazhdon të qesëndisi me nervozizëm nevojën për të rikthyer fuqinë e socialistëve të bashkuar, atëherë fundi do të jetë edhe gjymtimi i këtij fenomeni nga Rama në Ra. Edi Rama ka 7 vjet që i çon socialistët në humbje dhe kjo gjendje duhet të marrë fund, shprehet Nano.

Ai gjithashtu nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në krye të PS-së. Kjo lëvizje do të orientojë fuqimisht elektoratin e majtë drejt një formule fituese me apo pa Edi Ramën. Nuk e përjashtoj objektivin e rimarrjes së drejtimit të PS dhe në rast se Rama dhe struktura që ai drejton do ta pengojnë këtë gjë, ne do ta orientojmë të gjithë ushqimin elektoral të socialistëve dhe të së majtës drejt një liste tjetër, jo të Ramës, tha ish-kreu i PS-së. /F.S/

*    *    *

“Hakmarrje” ndaj Ramës dhe Berishës, Nano nis lëvizjen për krijimin e një partie të re

Fatos Nano ka shpallur publikisht lëvizjen për krijimin e një partie në përfundim të ëndrrës presidenciale dhe në 21-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste. Ish-kryeministri i vendit pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit, ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të Berishës dhe Ramës. Krijimi i kësaj partie mund të rezultoi një tjetër fraksion brenda PS-së pasi thuhet se ajo do të krijohet “bashkë me një grup përfaqësuesish të Partisë Socialiste”.

Qëllimi i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve është pë bashkimi i të gjithë popullit të majtë, i të gjithë popullit opozitar, për të fituar së bashku zgjedhjet në vitin 2013. Njëkohësisht kjo Lëvizje do të mbështesë të gjithë sensibilitetin e socialistëve të ndershëm në të gjithë Shqipërinë për ti dalë për zot fateve të Partisë Socialiste duke larguar Edi Ramën nga pozicioni që ai ka uzurpuar si Kryetar i pamerituar dhe humbës i palodhur. Ta largojmë humbësin përsëritës dhe kronik Edi Rama që të fitojmë kundër Sali Berishës në vitin 2013, thuhet në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga Arian Galdini, koordinator i kësaj lëvizjeje.

Që pas largimit nga drejtimi i PS-së në vitin 2005, Nano vazhdimisht ka kritikuar kreun e saj, Edi Ramën. Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Nano ndërmori lëvizjen të ashtuquajtur për bashkimin e të majtës, duke zhvilluar takime me kreun e LSI-së dhe disa parti të tjera periferike të së majtës.

Ajo që vihet re në këtë komunikatë, është se Nano nuk zotohet vetëm për hakmarrje nga Ramës por edhe ndaj Berishës, të cilët nuk e mbështetën për president. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve synon të bashkojë çdo socialist, çdo të majtë, por edhe të gjithë opozitarët me këtë Qeverisje dështake e të padrejtë, në mënyrë që së bashku të fitojmë zgjedhjet e vitit 2013. Bashkë e mundim Sali Berishën. Bashkë i fitojmë zgjedhjet në vitin 2013. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›