E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit, Berisha: Larg ndikimeve politike – interesi i vetëm të jetë qytetari

09-01-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret në takim Avokatin e ri të Popullit, z. Igli Totozani


Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me Avokatin e ri të Popullit, z. Igli Totozani. Kreu i qeverisë Berisha i uroi z. Totozani suksese në detyrën shumë të rëndësishme që Kuvendi i besoi. Ai e cilësoi rolin kushtetues të Avokatit të Popullit si të një rëndësie themelore në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se me zgjedhjen e z. Totozani u përmbyll një proces i rëndësishëm, për të cilin mazhoranca kishte treguar prej kohësh gatishmëri të plotë në pranimin e kandidaturave të propozuara nga opozita në emërimin e funksionit të Avokatit të Popullit.


Kryeministri e siguroi Avokatin e Popullit për mbështetjen e plotë, nga ana e qeverisë shqiptare, të punës së këtij institucioni dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar si në konsultimin për hartimin e legjislacionit të nevojshëm që ka lidhje me të drejtat e njeriut, ashtu edhe në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit në lidhje me problemet e konstatuara në respektimin e këtyre të drejtave. Nga ana e tij Totozani e falenderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që ai i dha në ushtrimin e detyrës së tij. Ai çmoi se mazhoranca e gjerë, me të cilën u votua kandidatura e tij, e angazhon atë akoma më shumë në kryerjen e detyrës në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe larg ndikimeve politike, në interes vetëm të qytetarit. Në takim u nda i njëjti mendim në lidhje me nevojën për tu fokusuar në çështje me rëndësi themelore në respektimin e të drejtave të njeriut. Të dy bashkëbiseduesit, pasi konstatuan përmirësim në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimit, theksuan nevojën për të bërë më shumë në këtë drejtim. Gjithashtu, ata ranë dakord për të bashkëpunuar në përmirësim e situatës në disa fusha të tjera prioritare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›