Avokati i Popullit: IBAR-i nuk shkruhet në Bruksel, por në çdo zyrë ku qytetari kërkon drejtësi

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Avokati i Popullit, Endrit Shabani deklaroi sot se matësi real i integrimit europian të Shqipërisë nuk janë vetëm kapitujt e hapur të negociatave, por zbatimi praktik i ligjit dhe mënyra se si qytetarët i përjetojnë shërbimet e shtetit.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), Shabani theksoi se hapja e 33 kapitujve të negociatave brenda 13 muajve përbën një rekord, por shtoi se sfida reale mbetet ngushtimi i hendekut mes ligjit në letër dhe realitetit në terren.
“Matësi i vërtetë i integrimit europian nuk është vetëm numri i kapitujve të hapur, por distanca midis ligjit në letër dhe ligjit në praktikë. Pikërisht këtë distancë do të vlerësojë IBAR-i”, u shpreh ai.
Avokati i Popullit solli disa raste konkrete nga praktika e institucionit që drejton, duke përmendur problematikat në burgje, diskriminimin ndaj komunitetit rom dhe vonesat shumëvjeçare në kompensimin e pronave.
Ai bëri të ditur se gjatë monitorimeve në institucionet e vuajtjes së dënimit janë evidentuar raste të mungesës së kujdesit shëndetësor për personat e paraburgosur, ndërsa vetëm në muajt e parë të këtij viti pesë persona kanë humbur jetën në burgjet shqiptare.
“Distanca midis protokollit në letër dhe trajtimit në praktikë po matet me jetë të humbura”, deklaroi Shabani.
Në lidhje me aksesin në drejtësi, ai vlerësoi procesin e vetingut si reformën më të rëndësishme të dekadave të fundit, por theksoi se gjykatat vazhdojnë të përballen me mbingarkesë dhe vonesa që, sipas tij, për qytetarët përkthehen në mohim të drejtësisë.
Shabani ngriti shqetësime edhe për kushtet në burgje dhe institucionet e shëndetit mendor, duke evidentuar mbipopullimin, mungesën e kujdesit shëndetësor dhe programeve të rehabilitimit.
Ai theksoi se standardet europiane nuk arrihen vetëm përmes strategjive në letër, por kërkojnë investime konkrete dhe institucione funksionale.
Në fjalën e tij, Avokati i Popullit ndaloi edhe te problematikat e diskriminimit dhe të drejtës së pronës, duke theksuar se shumë qytetarë vijojnë të presin prej dekadash zgjidhjen e çështjeve të pronësisë.
Shabani paraqiti tre propozime konkrete për fazën para vlerësimit të IBAR-it, duke kërkuar rritje të financimeve për sistemin penitenciar, përfshirje më të madhe të institucioneve të pavarura në procesin e negociatave dhe vendosjen e detyrimit ligjor për zbatimin e rekomandimeve të institucioneve të pavarura.
“Rekomandimet tona nuk janë teori. Janë përgjigje ndaj problemeve që na i kanë sjellë vetë qytetarët shqiptarë”, tha ai.
Në përfundim, Avokati i Popullit u shpreh se faza finale e integrimit europian kërkon ndryshime reale që ndihen nga qytetarët në jetën e përditshme.
“IBAR-i nuk shkruhet në Bruksel. Shkruhet në Tiranë. Në fakt, shkruhet në çdo zyrë të shtetit ku një qytetar shqiptar mund të ndihet, ndoshta për herë të parë në jetën e vet, qytetar europian”, përfundoi Shabani.
1 nga 2/gj.m/j.p/r.e/