Berisha: Policia bllokoi protestën paqësore, u shkelmua Kushtetuta

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas incidenteve gjatë marshimit të opozitës në protestën e tetë kombëtare, duke akuzuar autoritetet për bllokim të protestës paqësore dhe shkelje të të drejtave kushtetuese.
Berisha deklaroi gjatë marshimit të kthimit për në selinë blu, se protestuesit po zhvillonin një marshim paqësor, ndërsa sipas tij, policia dhe institucionet penguan lëvizjen drejt Ministrisë së Brendshme.
“Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë, ishim në një marshim paqësor. U shkelmua Kushtetuta, u shkel çdo gjë dhe u bllokua rruga”, u shpreh Berisha.
I pyetur nga gazetarët se përse protestuesit nuk u lejuan të afroheshin pranë Ministrisë së Brendshme, Berisha tha se opozita do të përgatitet për “të gjitha format” e reagimit politik.
“Ne po marshonim, ata bllokuan bulevardin, por ne do përgatitemi për të gjitha format dhe i garantoj se e kanë të humbur 100 për qind”, deklaroi ai.
Në fund, Berisha shtoi akuza edhe ndaj funksionarëve të tjerë shtetërorë, duke i cilësuar si “mbrojtës të hajdutëve dhe mercenarëve”.
/e.i/r.e/a.f/