Balla nga Kamza: 2030-a na gjen në BE, të rinjtë të bëhen zëri i vendimmarrjes lokale

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla së bashku me kryetarin e bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, zhvilluan një takim me të rinjtë e Paskuqanit, ku në qendër të diskutimeve ishte roli i rinisë në zhvillimin e vendit dhe përgatitja e saj për sfidat e së ardhmes europiane.
Në fjalën e tij, Balla vlerësoi transformimin e infrastrukturës arsimore në Kamzë, duke e cilësuar atë si një nga arritjet më të rëndësishme të viteve të fundit. Ai theksoi se sfida e radhës është fuqizimi i rolit të të rinjve në jetën publike dhe përfshirja e tyre aktive në vendimmarrjen lokale.
“Sot kemi shkolla dhe kopshte shumë të mira, por tani duhet të mendojmë më shumë për atë që duan të rinjtë e Kamzës. Duhet t’i përfshijmë ata në konsultimet për buxhetin dhe në këshillat rinore të bashkisë”, u shpreh Balla.
Balla gjithashtu u ndal edhe tek rëndësia e teknologjisë dhe edukimit digjital, duke theksuar se shkollat e Kamzës tashmë janë të pajisura me laboratorë të teknologjisë, por sipas tij nevojitet edhe më shumë investim për të përgatitur brezin e ri për të ardhmen.
“Më vjen mirë që shkollat e Kamzës janë të përgatitura, të plotësuara me laboratorët e teknologjisë digjitale, por më shumë duhet të bëjmë, sepse e vërteta është që jetojmë në një epokë tërësisht tjetër. 2030-a do ta gjejë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Këta fëmijë do të jenë qytetarë europianë dhe ne kemi detyrimin t’i pajisim sot me njohuritë bazë të teknologjisë digjitale”, tha Balla.
/m.q/a.f/r.e/