Avokati i Popullit: Komandot e shkarkuar, të rikthehen në detyrë
Avokati i Popullit në detyrë, Riza Poda, i ka rekomanduar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, të rikthejë në detyrë komandot e shkarkuar gjatë misionit luftarak në Afganistan. “Nëpërmjet letërkëmbimeve që kemi bërë, në institucionin tonë kanë bërë ankesa 9 shtetas shqiptarë: Altin Muçeku, Ylli Ahmataj, Arben Ahmetaj, Shkëlqim Baftaj, Dashamir Hasa, Eduart Zylalaj, Murat Meta, Qazim Qatollari dhe Gani Meta, ish-efektivë të Repartit Ushtarak Nr. 1200, Regjimenti Komando Zall-Herr, Tiranë. Ankuesit deklarojnë se nga gushti 2009 deri në muajin janar 2010 ata kanë qenë pjesë e kontingjentit të dërguar në misionin paqeruajtës në Afganistan”, thuhet në rekomandim. Para se të niseshin në këtë mision ata kanë nënshkruar kontratat përkatëse individuale për pjesëmarrje në mision. Dieta ditore do të ishte 60 USD në ditë dhe se kjo nuk do të tatohej. Në muajin dhjetor 2009, kur ndodheshin në Afganistan ata janë informuar se shpërblimi ditor apo dieta ditore, sikurse është pasqyruar në kontrata, ishte tatuar në masën 10% dhe ato do të merreshin 54 USD në ditë. Ata i kanë kërkuar Shtabit të Përgjithshëm trajtim financiar të barabartë me kolegët e tyre të vendeve të NATO-s, trajtimi të bëhej me euro dhe jo me dollarë, të mos tatohej shpërblimi ditor, si dhe t’u kthehej përgjigje për këto kërkesa. Nëse nuk plotësoheshin kërkesat ata ishin të gatshëm të ktheheshin në atdhe. Ndërkohë, ky veprim i tyre është konsideruar si shkelje e rëndë e disiplinës, duke i liruar nga detyra dhe nxjerrë në lirim. Në ankesë shkruajnë se kërkesën e kanë firmosur 86 ushtarakë, ndërsa vetëm 27 prej tyre janë liruar nga detyra, ndërsa ndaj të tjerëve nuk është marrë asnjë masë disiplinore. Pas verifikimit nga zyra e Avokatit të Popullit për rastin në fjalë është arritur të evidentohet se shkarkimi është i paligjshëm. Rekomandohet që të revokohet urdhri i shkarkimit dhe të bëhet zhdëmtimi financiar, duke u dhënë pagat gjatë kohës në lirim.
#