Avokati i Popullit: Pavarësia në sistemin e drejtësisë, sfidë ende në rrugëtim

Avokati i Popullit, Igli Totozani
Në 99-vjetorin e drejtësisë shqiptare, institucioni i Avokatit të Popullit shpreh përmes një mesazhi konsideratën dhe mbështetjen maksimale për mbarë sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Avokati i Popullit thekson se në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë, 10 maji duhet të shërbejë jo vetëm për festime ceremoniale, por edhe si kohë për të reflektuar për drejtësinë e arritur, por dhe për drejtësinë e munguar shqiptare.
Avokati i Popullit shprehet se pavarësia në sistemin e drejtësisë mbetet ende një sfidë në rrugëtim, ku mbetet e domosdoshme rritja e profesionalizmit, paanësisë dhe performancës dhe thekson se slogani Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit nuk duhet të jetë i zbardhur veç në muret e sallave gjyqësore, por dhe në vendimet gjyqësore.
Avokati i Popullit e vlerëson miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative nga Kuvendi si një lajm të mirë për drejtësisë shqiptare dhe thekson se do të jetë gjithnjë mbështetës i të drejtave të qytetarëve.
Aprovimi së fundmi i Ligjit për Gjykatën Administrative nga ana e Parlamentit shqiptar është një lajm i mirë për këtë 99-vjetor të sistemit të drejtësisë shqiptare, aprovim i cili do të forcojë dhe garantojë më tepër të drejtat e shtetasve.
Avokati i Popullit si një institucion kushtetues i krijuar dhe gjenezë për respektimin e të drejtave të njeriut garanton se do të jetë përherë në krah dhe mbështetës i të drejtave të qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, orientimit seksual dhe fetar, duke kontribuar realisht për afrimin e Shqipërisë me familjen europiane, thuhet në mesazhin e Avokatit të Popullit.