Topi: Integrimi, shtysë për reformimin e gjyqësorit, jo qëllim në vetvete

Presidenti Bamir Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka mbajtur një pritje me rastin e 99-vjetorit të miratimit të bazës ligjore të organizimit të pavarur të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Në fjalën e rastit Topi theksoi se mirëfunksionimi i sistemit të drejtësisë nuk duhet parë thjeshtë si një kusht për integrimin por një sistem i drejtë gjyqësor është në themel të funksionimit të një shoqërie demokratike normale dhe garant i saj. Në këtë mënyrë, ai bëri thirrje që integrimi duhet parë si shtysë, dhe jo si qëllim në vetvete.
Funksionimi normal i pushtetit gjyqësor parandalon sjelljen abuzive me pushtetin, parandalon shkeljet e ligjit, parandalon pasojat e rënda që vijnë nga mosfunksionimi normal i institucioneve dhe raporteve sociale. Në thelb, demokracia funksionale është e lidhur pazgjidhmërisht me funksionimin normal të pushtetit gjyqësor, u shpreh presidenti.
Topi kërkoi mirëkuptimin e politikës dhe institucioneve për të mbështetur përpjekjet për rritjen e integritetit dhe eficencës së pushtetit gjyqësor. Më tepër se sa kritika ndaj sistemit, duhet të mbizotërojë mbështetja e plotë për reformimin e tij, duke iu dhënë më shumë, duke iu krijuar më shumë hapësira ligjore, financiare dhe infrastrukturore, për mirëfunksionimin e tij, u shpreh Topi.
Nga ana tjetër presidenti vlerësoi krijimin e Gjykatës Administrative dhe disa ndryshime të tjera ligjore. /F.S/