E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit kërkon rikthimin në punë të infermieres me shami dhe masa ndëshkuese ndaj mjekes

KushtrimTernava_Protesta_per_shami_02_871765Debati mbi shaminë e femrave myslimane, ku para pak ditësh u shënua dhe incidenti i radhës në spitalin e Burrelit, është marrë në hetim nga Avokati i Popullit.

Në një letër, drejtuar Ministrit të Shëndetësisë, Igli Totozani e ka konsideruar një shkelje të të drejtës së njeriut  diskriminimin e këtyre femrave për shkak të besimit. Institucioni i Avokatit të Popullit ka hetuar rastin e Irma Hakës, infermiere në spitalin e Burrelit, e cila nuk u lejua të punonte për shkak se kishte shami në kokë, një detyrim ky për besimtaret femra myslimane.

Ti je e mbuluar me shami, ky është institucion laik e jo fetar, dhe shteti është laik, ndaj shko e puno në ato institucione ku të lejohet të mbash shami, mësohet ti ketë thënë mjekja endokrinologe, Fatmira Gjoka, infermieres së mbuluar.

Mes dy grave rasti degjeneroi dhe në sherr, por Avokati i Popullit referuar, nenin 10/2 të Kushtetutës, arsyeton se: Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.  Sipas Totozanit, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe ligjet organike, nuk kufizojnë lirinë e fesë dhe praktikave fetare dhe, si pasojë, nuk mund të diskriminohet një individ vetëm se ai praktikon një besim të caktuar.

Në rekomandimi e Avokatit të Popullit, thuhet se liria e shfaqjes së besimit ose të bindjeve nuk mund të bëhet objekt i  kufizimeve veç atyre që parashikohen me ligj dhe që janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike.

Duke e konsideruar si shkelje të etikës qëndrimin e mjekes Fatmira Haka, e cila bie ndesh me aktet kombëtare dhe ndërkombëtare, rekomandojmë marrjen e masës disiplinore ndaj mjekes endokrinologe, të spitalit Burrel, znj. Fatmira Gjoka. Angazhimin dhe ndërgjegjësimin  e të gjitha strukturave shëndetësore, për mospërsëritjen e rasteve të diskriminimit jo vetëm ndërmjet personelit mjekësor, por edhe ndaj pacientëve që këto struktura trajtojnë, thuhet në letrën që Avokati i Popullit i ka dërguar Ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova./l.ç

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›