Avokati i Popullit raporton sot tek Ligjet
Avokati i Popullit raporton sot në Komisionin e Ligjeve mbi punën njëvjeçare të tij. Në një raport të dorëzuar tashmë në Kuvend ai ka vërejtur probleme me të drejtat e njeriut në Shqipëri, për vitin 2009. Avokati i Popullit, ankesat më të shumta i ka marrë nga shqiptarët për organet që varen nga Ministria e Drejtësisë, 583 ankesa. Më problematiket vijojnë të jenë gjykatat dhe burgjet, e më pas vijnë problemet me pronat, të drejtat politike të njeriut, të drejtat e romëve, sistemi shëndetësor, arsimor etj. Avokati i Popullit ka marrë për vitin 2009, 1547 ankesa në total. Numri më i madh i ankesave drejtohet ndaj gjykatave të të gjitha niveleve dhe zënë 17% të ankesave. Gjendja e burgjeve paraqitet tepër e vështirë nga ky raport. Gjatë vitit 2009, disa prej burgjeve dhe paraburgimeve në vend vijojnë të vuajnë probleme të amortizimit dhe të kushteve të papërshtatshme të tyre, veçanërisht të lagështirës. Për këtë, Avokati kërkon mbylljen e burgut të Burrelit. Një problem serioz që veçohet nga të burgosurit është korrupsioni në disa segmente të administratës së burgjeve. Në këtë vit, Avokati i Popullit ka vendosur të kryejë edhe sondazhe. Në këtë raport janë renditur edhe ankesat e të burgosurve shqiptarë në Greqi. Ata ankohen se u mungon asistenca juridike, dënimet ndaj tyre janë maksimale nga gjykatat greke, ka të burgosur pa të ardhura që nuk mund të komunikojnë as me familjet e tyre. Sipas raportit të Avokatit të Popullit, probleme u vunë re me zgjedhjet. Ky institucion ka propozuar që për zgjedhjet e ardhshme të merret parasysh përdorimi i skanerëve elektronikë për të numëruar votat. Për këtë, Avokati ka propozuar edhe llogaritjet e tij, për reduktimin e subjektivitetit njerëzor ashtu edhe për koston financiare.