E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet shorti për gjyqtarin e Ruzhdies, caktohet Roland Jaupaj

Mëngjesin e djeshëm, në Gjykatën e Fierit, është hedhur shorti për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë akuzat për nëntë komisionerët e fshatit Ruzhdie. Sipas burimeve zyrtare nga kjo gjykatë, do të jetë Roland Jaupaj gjyqtari që do drejtojë procesin më të rëndësishëm dhe më të debatuar, manipulime ose jo në kutitë e votimit në këtë fshat. Prokuroria e Fierit e mbylli hetimin për zgjedhjet në komunën Ruzhdie të Fierit pak ditë më parë dhe dosja prej 600 faqesh iu dorëzua Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier. Në gjykatë janë dorëzuar dosja voluminoze së bashku me kutinë e materialeve të qendrës së votimit, për ti hapur rrugën një procesi penal ndaj 9 personave, 5 nga të cilët janë komisionerë dhe 4 votues, që është verifikuar se kanë votuar më shumë se një herë. Akuzat janë për shpërdorim detyre, si dhe falsifikim të dokumentacionit bazuar në nenet 245 dhe 248 te Kodit Penal, si dhe votim më shumë se një herë dhe shkelje të fshehtësisë së votimit bazuar në Kodin Zgjedhor. Të pandehur në gjendje të lirë për këto akuza janë marrë shtetasit Bujar Kararaj, Shezai Kararaj, Veledin Myftaraj, Robert Myftaraj, Pëllumb Myrtaj, Pëllumb Ferzaj, Qazim Alia, Ervin Myftaraj dhe Elmaz Donaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›