E Enjte, 5 Nëntor 2026

Avokati i Shtetit: Në vitin 2023 i shmangëm shtetit një dëm prej 1.9 miliardë lekësh

TIRANË, 29 maj/ATSH-Maela Marini/ Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Odise Moçka raportoi sot në komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e Avokaturës së Shtetit gjatë vitit 2023.

Gjatë seancës dëgjimore, Moçka informoi mbi vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe raportin që ka shteti shqiptar ndaj ekzekutimit të këtyre vendimeve.

Sipas tij, viti 2023 shënon një nga vitet më të mira, me numrin më të ulët të çështjeve, vetëm 29 të tilla pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Kjo tregon edhe bazën e mirë ligjore që është vendosur në vend ku institucionet e drejtësisë janë duke gjetur trendin e vetë të dhënies së drejtësisë”, tha ai.

Moçka informoi se gjatë vitit 2023 gjykata ka dalë me 47 vendime për 75 kërkesa.

“Në këtë Gjykatë është kërkuar një dëmshpërblim total prej 2 miliardë e 10 milionë lekësh, ndërsa Gjykata ka pranuar një total shpërblimi të drejtë në vlerën e 29 milionë lekëve, ose 279 mijë eurove. Nga ky rezultat vërejmë se ka një dëm të shmangur ndaj shtetit shqiptar prej 1.9 miliardë lekësh”, tha ai.

Moçka theksoi se këto kërkesa lidhen me tejzgjatjen e proceseve gjyqësore.

“Ky mund të jetë viti i vetëm kur Gjykata nuk ka kërkuar ndryshim legjislacioni por ka saktësuar se legjislacioni është i plotë dhe kërkohet rigorozitet në zbatimin e tij”, tha ai.

Nga ana tjetër, Moçka bëri të ditur se gjatë vitit 2024 ka në pritje një numër të lartë kërkesash për trajtim nga shtetas shqiptarë që kanë qenë të patrajtuar në vite dhe Gjykata Europiane ka vendosur që këto çështje t’i përshpejtojë dhe të bëjë bashkimin e tyre, sipas karakteristikave që kanë.

Avokati i Shtetit theksoi se “Shqipëria tanimë konsiderohet si një partnere shumë e mirë e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të vendimmarrjes së saj”.

“Shqipëria është penalizuar ndër vite për proceset e zgjatura gjyqësore, ndaj ne shpresojmë që kjo çështje të marri rrugë, sepse edhe vakancat në sistemin gjyqësor janë duke u plotësuar”, tha ai.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›