E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bardhi: Nuk do votojmë për ngritjen e Komisionit antikorrupsion

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se, ka mungesë vullneti nga mazhoranca për të luftuar korrupsionin.

Në një prononcim për gazetarët përpara mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Bardhi foli në lidhje me arsyen se përse opozita nuk do të bëhet pjesë e votimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion që do të bëhet nesër në Kuvend.

“Përpara se të më drejtoni mua pyetjen a do ta votojmë apo jo Komisionin e Posaçëm, do të duhet të pyesni Kryetaren e Kuvendit që dje ka futur në rend dite miratimin e një Komisioni pa pasur një pr/vendim të shpërndarë deputetëve. Ju keni akses në faqen zyrtare të Kuvendit ku publikohet çdo akt. Nëse nuk është mos më drejtoni mua, përfaqësuesit të opozitës në Kuvend, mikrofonin a do ta votoni, por drejtojani Lindita Nikollës dhe Edi Ramës. Që këtë temë, që në pikë të parë thonë do të ndërtojmë një proces konsultimi të gjerë politik dhe bashkëpunimi dhe me radhë, fusin në rend dite për miratim një pr/vendim, ndërkohë që nuk kanë një pr/vendim të shpërndarë, jo vetëm deputetëve të opozitës, por asnjë deputeti të Kuvendit”, tha Bardhi.

Sipas tij, “kjo tregon se sa seriozisht e kanë luftën ndaj korrupsionit. Kjo tregon sa serioze është kjo iniciativë. Dhe kjo tregon edhe një herë që për Edi Ramën dhe mazhorancën socialiste, korrupsioni, mirëqeverisja dhe shteti ligjor janë vetëm propagandë dite”.

“Nëse Edi Rama ka vullnet për të luftuar korrupsionin, askush nuk e ndalon asgjë. Ne nuk jemi kundër luftës ndaj korrupsionit, nuk jemi kundër mirëqeverisjes, nuk jemi kundër shtetit ligjor”, nënvizoi Bardhi.

Ai u shpreh se, “është opozita dhe grupi parlamentar i PD-së, që e ka pasur kalë të betejës së vetë këto 11 vite luftën ndaj korrupsionit, përpjekjet për mirëqeverisje dhe sigurisht respektimin e parimeve të shtetit ligjor”.

“Ai që i ka cenuar të gjitha, apo të tre këto komponentë ka qenë Edi Rama dhe qeverisja e tij. Më gjeni një rast kur Rama ka ngritur gishtin ndaj një të korruptuari dhe ka thënë do ta largoj nga puna se është i korruptuar. Ndërkohë që çdo aferë të denoncuar nga opozita me fakte për korrupsion i ka dalë për zot”, theksoi Bardhi.

Prandaj, shtoi kreu i grupit parlamentar të PD-së, “ne nuk jemi bërë pjesë e këtij procesi, nuk kemi marrë pjesë në votim, duke theksuar dhe një herë që ka mungesë vullneti nga mazhoranca dhe është e gjitha një propagandë dite për të mbuluar fytyrën e zezë nga korrupsioni të Edi Ramës dhe nga ana tjetër, pa dyshim, si shprehje e qartë e vullnetit tonë që po, ne jemi për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit”.

Ndërsa në një prononcim pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Bardhi u shpreh se, PD nuk do të votojë krijimin e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›