Avokati i Tatimpaguesit nis takimet me biznesin
Dhoma Amerikane e Tregtisë organizoi dje një takim me Avokatin e Tatimpaguesit, me qëllim njohjen e kësaj strukture të re në ndihmë të biznesit. Takimi nuk përcolli ndonjë problematikë të veçantë, thjesht njohu biznesin me strukturën e re të krijuar pak ditë më parë me qëllim adresimin e të gjitha problemeve që has biznesi drejt kësaj strukture. Krijimi i strukturës së Avokatit të Tatimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është si një strukturë për përcjelljen e informacionit eficent dhe për trajtimin e gjithë problematikave që has tatimpaguesi në raportet me administratën tatimore, vonesat e paarsyeshme, zgjidhje jo të drejtë. Avokati i tatimpaguesve është një strukturë e cila merr këto shqetësime që has tatimpaguesi për ta përcjellë dhe për ta zgjidhur në mënyrë e duhur brenda strukturave të tatimeve. Avokati i Tatimpaguesve autorizohet të investigojë të gjitha kërkesat e tatimpaguesve, që përbëjnë probleme të administrimit të tatimeve, siç janë vonesat administrative të paarsyeshme, gabimet e zyrtarëve tatimorë që nuk janë zgjidhur në mënyrën e duhur pas paraqitjes së tatimpaguesi, mosrespektimi i procedurave tatimore apo shkelje të procedurave tatimore nga zyra tatimore. Rastet kur tatimpaguesi është investiguar nga sektori i investigimit në Drejtorinë e investigimit Tatimore apo nga Drejtoria e investimit të Brendshëm janë procese administrative që do të jenë të përjashtuara nga sfera e mbikëqyrjes së Avokatit të Tatimpaguesve. Ai nuk autorizohet të investigojë apo të ndryshojë në procesin e përcaktimit të detyrimeve tatimore apo për rastet të cilat janë në proces aplikimi. Gjithashtu, Avokati i Tatimpaguesve do të refuzojë ato kërkesa që janë të pabazuara dhe synojnë mosrespektimin në zbatimin e procedurave tatimore.