E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Tiranë – Elbasan, kredia shlyhet për 20 vjet me interes 5%

SHKRUAN: Sabina Veizaj 08-04-2011 12:07

Për 17 vjet plus tre vjet pagesë pa interesa, do të shlyhet kredia prej 222.7 mln dollarë e marrë nga Banka islamike për Zhvillim, për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Dje, Ministri i Financave Ridvan Bode nënshkroi marrëveshjen koncensionare

me presidentin e Bankës Ahmed Mohamed Ali. Bode u shpreh se, kjo marrëveshje kredie përbën një nga marrëveshjet me shumën më të madhe në një transh të vetëm, të nënshkruar me një bankë të vetme siç është iDB. “Ky financim përbën mbulimin me fonde të njërës prej veprave më të rëndësishme të mandatit të dytë të qeverisjes, segmentin Tiranë – Elbasan, pjesa kryesore e aksit kombëtar të jugut” - tha ministri Bode. Ndërsa presidenti i Bankës islamike për Zhvillim, Ahmend Mohamed Ali, siguroi ministrin e Financave se ka një interes në rritje, nga ana e bizneseve anëtare të kësaj banke, për të shtuar prezencën e tyre me investime në ekonominë shqiptare. Kjo, është në fakt kredia më e butë e marrë nga qeveria shqiptare, për një vepër infrastrukturore koncensionare, ndryshe nga kredia që u kontraktua për rrugën Durrës- Kukës, e cila i rëndoi borxhit të vendit. Kredia prej 222.7 milionë dollarë ofrohet nga iDB, me një maturim 17-vjeçar, plus tre vjet pa pagesë me interesa dhe norma e interesit rreth 5 % në total. Rruga Tiranë – Elbasan do të ketë një gjatësi prej 26 km nga 55 km, që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment. Tre segmentet që do të financohen përfshijnë; segmentin rrugor nr. 1, me gjatësi 13 km, që fillon nga unaza e Tiranës deri në hyrjen e tunelit, segmentin nr. 2, i cili përfshin ndërtimin e dy tuneleve të ndarë dhe me dy drejtime të lëvizjes me gjatësi secila prej 2.1 km dhe 2.3 km dhe gjatësi mesatare prej 2.2 km dhe segmentin rrugor nr. 3, i cili ka gjatësi 10.8 km, që fillon në daljen e tuneleve në kilometrin 15 dhe përfundon në kilometrin 26, në hyrje të qytetit të Elbasanit.

Vlera totale e investimit të segmentit është 400 milionë dollarë dhe do të vijojë të ndërmjetësohet përmes iDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjerë. Fondi i Abu Dhabi-t - i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD. Ndërsa fondit Saudit për Zhvillim -i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD, fondit OPEC, i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit. Projekti për këtë rrugë ka nisur prej më shumë sesa një viti dhe është kryer nga studio italiane “Bonifika”. Ditë më parë, ministri i Punëve Publike prezantoi projektin e kësaj rruge e cila për të arritur në trajektoren përfundimtare janë shqyrtuar disa alternativa, ndër të cilat është zgjedhur si version përfundimtar alternativa më e shkurtër, Tiranë –Lundër –Mullet me një gjatësi 31,17 km.

Paketa e kredisë

Shuma 222.7 milionë dollarë

Maturimi 20 vjet

Interesi 3 vite nuk paguhet

Interesi libor +3% ose (5%)

Donatorët

1. Fondi i Abu Dhabi-t - i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD;

2. Fondi Saudit për Zhvillim -i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD;

3. Fondi OPEC, të cilit i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD;

4. Si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›