Berisha falenderon Bankën islamike për rrugën Tiranë- Elbasan
Kryeministri Berisha, në një takim me Presidentin e Bankës islamike për Zhvillim, Amad Mohammed Ali në selinë kryeministrore, e ka falenderuar atë për nënshkrimin e marrëveshjes për kredinë që do të mundësojë financimin e rrugës Tiranë- Elbasan, si projekti më i madh i kësaj banke në vendin tonë. Kryeministri theksoi rëndësinë e madhe që ky projekt ka nën kontekstin e Korridorit 8-të dhe impaktin që ai sjell për vendin. Kryeministri u shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e Bankës islamike për Zhvillim, për financimin e projekteve me rëndësi të madhe në fushën e transportit dhe të shëndetësisë në Shqipërinë, si projekti për rrugët dytësore dhe lokale, rrugën Kalimash-Rexhepaj, apo spitalet e Durrësit dhe Kavajës. Kryeministri bëri një paraqitje të zhvillimeve në ekonominë shqiptare, reformave të suksesshme ekonomike dhe fiskale, që kanë krijuar një klimë tepër të favorshme për investimeve në shumë fusha, si dhe parashtroi potencialet e mëdha të Shqipërisë në fushën e transportit, energjisë, turizmit, bujqësisë etj. Presidenti Ali shprehu kënaqësinë që Banka islamike për Zhvillim është e pranishme dhe kontribuese në projekte zhvillimore të Shqipërisë dhe ritheksoi impenjimin për angazhime të tjera serioze të këtyre përmasave, në të ardhmen.