E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatja al-Khalil, I kërcënon të gjithë

Avokatja libaneze, Bushra al-Khalil, kërcënon se krerët botërorë do të ndjehen të turpëruar pas gjykimit të birit të Gaddafit, Saif al-Islam, sepse ai i di të gjitha marrëveshjet e fshehta.

Edhe pse askush nuk e di se ku ai po fshihet aktualisht, pothuajse është e sigurt se i biri i diktatorit të vrarë libian, Moammar Gaddafi, Saif al-Islam, do të dorëzohet në Gjykatën e Hagës.

Këtë gjë në një bisedë ekskluzive për gazetën kroate ‘Vecernji List’ e konfirmoi edhe ish-avokatja e Saddam Hussein, libanezja Bushra al-Khalil. Ajo e pranoi lutjen e mikeshës së saj, Aisha al-Gaddafi, që është motra e Saif al-Islamit të arratisur, për ta përfaqësuar familjen e saj, dhe paralajmëroi se në emër të familjes Gaddafi së shpejti do ta padisë Këshillin Transitor Kombëtar të Libisë për likuidimin e Moamar Gaddafit dhe të djalit të tij, Moutassem.

E kontaktoi mikja Aisha

“Më ka kontaktuar mikja ime, Aisha, vajza e Gaddafit. Ajo më ka pyetur nëse do të mund ta përfaqësoja vëllanë e saj, Saif al-Islam, i cili dëshiron të dorëzohet në Gjykatën e Hagë”, pohon al-Khalil, derisa sqaron se Aisha i tha se kjo kishte qenë edhe dëshirë e babait të saj të ndjerë, Moammar, i cili donte që, nëse do të ziheshin rob, t’i mbronte ajo.

Bushra pranojë lutjen e mikeshës Aisha, dhe do ta mbrojë vëllanë e saj, Saif al-Islam, para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

“Natyrisht që do ta mbroj, sepse për familjen Gaddafi më lidhë një miqësi shumëvjeçare. E, veç kësaj, unë jam avokate, dhe për mua kjo është një sfidë e madhe, sepse gjykimi i tij sigurisht që do të jetë i vrullshëm dhe interesant”, thekson ajo. Bushra al-Khalil pohon se e di me garanci që Saif al-Islam, i cili qëndroi afër babait të vetë për shumë vite, i di të gjitha marrëveshjet e fshehta të arritura ndërmjet Moammar Gaddafit dhe krerëve botërorë.

Ban Ki-moon shpreson në dorëzimin e Saif

“Jam bindur se shumë krerë botërorë do të turpërohen pas gjykimit të Saif al-Islam”, nënvizon avokatja libaneze.

Ndërkaq, kur pyetet nga korrespodenti i ‘Vecernji List’ nëse Aisha ia kishte zbuluar vendin ku fshihet vëllai i saj, dhe nëse ai tashmë e ka braktisur Libinë, avokatja al-Khalil thotë:

“Me sa duket ai ende fshihet në territorin e Libisë dhe po e pret rastin që të ikë jashtë vendi, për të mundur të dorëzohet në Gjykatën e Hagës. Në të vërtetë, Saif al-Islami po fshihet në vend të sigurt, sepse është i bindur që, në rast se do të zihej rob, kryengritësit do ta likuidonin njësoj siç e likuiduan babanë dhe vëllanë e tij Moutassem”.

Bushra al-Khalil gjithashtu pohon se edhe sekretari i përgjithshëm i OKB’së, Ban Ki-moon, shpreson se Saif al-Islam do të dorëzohet sa më parë, dhe se pastaj do të zbulojë se ku janë fshehur helmet e shumta ushtarake që i posedonte babai i tij, ashtu që ekspertët të mund t’i shkatërrojnë sa më parë, sepse kanë frikë e ato do të mund të binin në duart e Al-Qaeda’s.

Ikja në Afrikë

“Posedojmë edhe me informacione, sipas të cilave koloneli Gaddafi ishte kapur 24 orë para se të likuidohej, dhe se gjatë asaj kohe ishte keqtrajtuar dhe dhunuar me një shufër të metaltë. Ky është një krim. Do t’i mbledhim të gjitha informacionet e nevojshme dhe do ta padisim Këshillin Transitor Kombëtar të Libisë për shkelje të konventës ndërkombëtare për trajtimin e robërve të luftës”, thotë tutje al-Khalil.

Sipas ish-avokates së Saddam Hussein, vajza e Gaddafit, Aisha, bashkë me nënën dhe vëllezërit e saj momentalisht ndodhet në Algjeri, edhe pse është pikëpyetje se deri kur do të qëndrojnë atje, sepse Aisha po e konsideron shkuarjen në ndonjë shtet tjetër afrikan.

Më shpesh flinte pranë babait se pranë nënës

Kur e pa për herë të parë xhirimin e likuidimit të babait dhe të vëllait të saj, Aisha u tmerrua, kështu që u desh të dërgohej në spital.

“E njoh Aisha’n shumë mirë. Aisha ishte shumë e lidhur me babain, ndërkaq koloneli e donte shumë, sepse ishte vajza e vetme e tij. E lazdronte dhe e kujdesej për të. Për të ishte edhe baba edhe nënë. Madje, njëherë më tregoi se më shpesh flinte pranë babait se sa pranë nënës. As sot e kësaj dite Aisha nuk mund të besojë se babai dhe vëllai i saj nuk jetojnë më. Është në gjendje shoku, dhe vazhdimisht trajtohet me qetësues. Sigurisht që tani po e përjeton atë që dikur e përjetonte vajza e madhe e Saddamit, Ragda, e cila po ashtu ishte tepër e lidhur me të atin. E tani, Ragda po e ngushëllon Aisha’n, njësoj siç Aisha dikur e ngushëllonte Ragda’n”, përfundon Bushra Al-Khalil.

Kush është Bushra Al-Khalil?

Avokatja Bushra al-Khalil vjen nga një familje e respektuar shiite libaneze. Jeton në pjesën jugore të Bejrutit, të banuar me shumicë shiite.

Ajo për një kohë të gjatë mbante lidhje me Irakun. Gjatë viteve të 90’a udhëtonte shpesh në Bagdad. Gjatë asaj periudhe u kreu shumë favore qeveritarëve të lartë irakianë, për çka u shpërblye nga partia e Saddam Hussein. Shpesh u akuzua nga mediat arabe se kishte marrë para nga Saddami dhe se mbante lidhje të afërt me djalin e tij Uday – i vrarë nga forcat amerikane në korrik të vitit 2003. Al-Khalil, nga ana tjetër, thoshte se me Uday’n ishte takuar vetëm disa herë, dhe atë publikisht.

Si shiite, ajo do të duhej të ishte kundër regjimit të Saddamit, por avokatja Al-Khalil mburret me atë që ishte e para që pranoi të mbronte Saddam Husseinin, menjëherë pasi që ishte kapur nga forcat aleate, në vitin 2003. Për avokaten Al-Khalil mbrojtja e Saddam Husseinit ishte pjesë e rezistencës së asaj që ajo e sheh si agresion amerikan ndaj arabëve, andaj gjatë mbrojtjes së Hussein më shumë fokusohej në politikë se në ligj. Kështu kur, në muajin prill, më në fund iu dha rasti që të fliste gjatë gjykimit të tij, nuk iu desh shumë që të kacafytej me gjykatësin, Raouf Abdel-Rahman.

Derisa prokuroria po shfaqte një video-xhirim, në të cilin shihej Hussein derisa urdhëronte arrestimin e shumë qytetarëve, nën pretekstin se kishin organizuar një tentim-vrasje ndaj tij, znj. al-Khalil po i mbante në dorë fotografitë e ushtarëve amerikanë që po abuzonin me të burgosurit irakianë.

Me zë të lartë iu drejtua Husseinit: “Shikoni se çfarë po bëjnë atë me shtetin tuaj”.

Gjykatësi e ndërpreu gjykimin dhe përjashtoi menjëherë nga gjykatorja.

(nga The New York Times)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›