Ferri katalan

Ferr! Sezoni 2009/10 që e kaloi te Barcelona, shkoi aq keq sa që Zlatan Ibrahimoviç mendoi për pensionim. Ylli suedez ka treguar për mosmarrëveshjet e tij me trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola, por edhe sulmet verbale kur ai e akuzoi strategun katalan se “nuk ke toptha”. Më 2009, Ibrahimoviç iu bashkua Barcelonës nga Inter në marrëveshje shkëmbimi me Samuel Eto’on si dhe 40 milionë euro, që u takuan Nerazzurrëve.
Sulmuesi suedez filloi pozitivisht aventurën e tij në Nou Camp duke shënuar shtatë gola në shtatë ndeshjet e tij të para në La Liga, por personaliteti i tij i hapur dhe vendimi për të aktivizuar Lionel Messin në rol qendror rezultoi me mosmarrëveshje mes tij dhe Guardiolas. Në autobiografinë e tij të re, Ibrahimoviç pranoi një pjesë të përgjegjësisë, por kryesisht fajësoi Guardiolan për izolimin e tij.
“Ishte ëndërr e fëmijërisë dhe ecja në ajër”, shkroi Ibrahimoviç në librin e tij, pjesë të të cilit janë publikuar në disa të përditshme suedeze.
“Filloi mirë, por pastaj Messi filloi të fliste. Ai deshi të luante në qendër, jo në krah, andaj sistemi ndryshoi nga 4-3-3 në 4-5-1. Unë isha sakrifikuar dhe më nuk kisha liri në fushë që më nevojitej të jem i suksesshëm. Andaj, kërkova një takim me Guardiolan për të diskutuar, jo grindur. I thash se jam duke u përdorur në mënyrë të gabuar dhe se ata nuk është dashur të më blinin nëse kërkonin tjetër lloj futbollisti”, shtoi ai.
“I thash atij se çka më kishte thënë mua një shok – ‘keni blerë një Ferrari, por po e vozitni si një Fiat’. Biseda dukej se shkoi mirë, por më pas Guardiola filloi të më injorojë. Unë hyja në një dhomë e ai dilte. Ai do t’i përshëndeste të gjithë, por mua më injoronte. Kam bërë shumë për t’u adaptuar, futbollistët e Barcelonës ishin si nxënës të shkollës, përcillnin trajnerin me sy mbyllur, ndërsa unë pyetesha ‘pse?’ Në një moment të caktuar mendova të pensionohem”, shpjegoi Ibrahimoviç. Suedezi humbi vendin në ekip nga i riu Bojan Krkic – aktualisht i huazuar te Roma – dhe e pranoi se ishte në largim nga klubi. Ai veçoi grindjen e tij që kishte me Guardiolan pas fitores 4-1 ndaj Villarrealit, ku ish sulmuesi i Juventusit dhe i Ajaxit luajti vetëm pesë minuta.
“Pep më shikonte dhe e humba. Mendova ‘ja ku është armiku im, duke e kruar kokën e tij tullace’. I bërtita ‘ti nuk ke toptha!’. Por, edhe gjëra më të këqija se kjo. Shtova: ‘Ti e bën nevojën në pantallona për shkak të Mourinhos (aso kohe trajner i Interit, që kishte mposhtur Barcelonën në Ligën e Kampionëve). Shko në ferr!’ isha shumë i hidhëruar. Nuk jam i dhunshëm, por nëse do të isha Guardiola, do të kisha frikë”, theksoi ai.
Ibrahimoviç tha se, pas këshillës nga gruaja e tij, u mundua të bënte paqe me Guardiolan dhe luftoi për vendin e tij në ekip, pavarësisht blerjes së David Villas.
Por, ritheksoi se Guardiola nuk përgjigjej dhe se ish mesfushori i Spanjës vazhdoi ta injorojë para se të arrihej marrëveshja për huazim në Milan e më pas qëndrimin e përhershëm të tij në San Siro. Ibrahimoviç shkëlqeu me 14 gola në 28 ndeshje, derisa Rossonerët fituan titullin në Serie A. Ai ka realizuar shtatë gola në nëntë ndeshje në të gjitha garat, deri më tani gjatë këtij sezoni.