E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatja e Viktor Gushit: Asnjë i afërm nuk është interesuar për të

TIRANE - Edhe pse kanë kaluar 4 ditë nga arrestimi i Viktor Gushit, asnjë i afërm apo mik nuk ka shkuar në ambientet e paraburgimit për t’u interesuar për të.

Këtë fakt e konfirmon avokatja e 44-vjeçarit, Vjollca Pustina, e cila e kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” shprehet se deri më tani, askush nuk ka shfaqur interes për Gushin.

“Asnjë njeri nuk ka ardhur për të folur me të ose me mua, si avokate. Ai ka jetuar vetëm dhe të gjithë familjen e ka në Greqi dhe një pjesë në Patos, por deri më tani, askush nuk ka pyetur ose është interesuar për të.”, – deklaron avokatja.

Ndërkaq, e pyetur në lidhje me qëndrimin e klientit të saj, ajo deklaron se edhe si përpara trupit gjykues, ai ka mbajtur qëndrim pohues dhe se është penduar për ato që ka bërë. “Ashtu dhe si në Gjykatë, Gushi ka pranuar të gjithë akuzat që janë ngritur mbi të. Ai kujton me hollësi të gjitha detajet dhe ia ka rrëfyer atë hetuesve, të cilët e kanë marrë në pyetje.” – shprehet Pustina.

Ndërkaq, mësohet se dhe rrobat me të cilat është shfaqur përpara trupit gjykues, dy ditë më parë, 44-vjeçarit i janë dhënë nga ana e efektivëve të policisë, pasi rrobat e tij, janë sekuestruar nga ana e Policisë si prova materiale.

Nga ana tjetër, bëhet e ditur se Gushi ka dhënë deklarimet e tij për më se 4 orë, pak ditë më parë, në prani të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, deklarime këto që gjithashtu mësohet se janë të filmuara dhe do të paraqiten si provë në gjykatë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera 'Arrest me burg' për Viktor Gushin, grabitësi vrasës: Jam penduar! Rrëfehet Viktor Gushi: Ja si e vrava arkëtaren e bankës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›